Foto nga VCG
Ushtria izraelite njoftoi se ka shkatërruar dronë të nisur nga milicia e Hezbollahut në Liban. Dy nga mjetet ajrore pa pilot të ngarkuara me eksploziv u rrëzuan mbi rajonin verior të Galilesë rreth një orë larg njëri-tjetrit.
Një alarm ajror u aktivizua për shkak të rrezikut të rënies së mbeturinave, shkruan “ATSH”.
Ushtria njoftoi se sirenat e alarmit u dëgjuan edhe në jug pranë Eilatit, kur një raketë fluturoi drejt Izraelit nga lindja, por nuk arriti hapësirën ajrore vendase.
Përgjegjësinë për sulmin e kanë marrë milicitë pro iraniane në Irak.
Milicia shiite libaneze Hezbollah pretendoi se kishte sulmuar një kazermë izraelite në zonën Ramim pranë qytetit Manara në veri të vendit.
Fillimisht nuk kishte asnjë informacion nga pala izraelite.
Konflikti aktual midis Izraelit dhe Hezbollahut filloi më 8 tetor të vitit të kaluar me sulmet me raketa nga milicia libaneze në mbështetje të Hamasit, e cila kishte shkaktuar luftën në Gaza me sulmin e saj të paprecedentë ndaj Izraelit një ditë më parë.