Kreu i IAEA viziton zonat bërthamore nëntokësore në Iran
2024-11-17 16:33:49

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA), Rafael Grossi, ka vizituar objektet kryesore nëntokësore të Iranit për pasurimin e uraniumit, Fordow dhe Natany, raportuan mediat shtetërore iraniane, përcjell “RTSH”.

Irani ka kufizuar inspektimet në zonat e veta bërthamore dhe ua ka ndaluar disa inspektorëve të IAEA-s hyrjen në objektet për pasurim të uraniumit.

Grossi ndodhet në Iran në përpjekje për të gjetur zgjidhje diplomatike, ku paralajmëroi ditë më parë se hapësira për negociata për programin e avancuar bërthamor të Iranit po zvogëlohen.

Irani ngul këmbë se synimet e tij bërthamore janë paqësore.

Vizita e Grossit u zhvillua në prag të takimit të bordit të IAEA-s, ku disa vende pritet të kërkojnë reagim ndaj Republikës Islamike.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore dhe komuniteti ndërkombëtar kanë shprehur shqetësimin se Irani ka shkelur kufizimet e vendosura në marrëveshjen bërthamore të arritur me fuqitë botërore në vitin 2015, sa i përket pasurimit të uraniumit, duke e pasuruar uraniumin deri në 60 për qind. 

Për armë bërthamore, kërkohet uranium i pasuruar prej 90 për qind.