
Doreshkrimet e Kadarese (Foto Atsh)
Dorëshkrimet e Ismail Kadaresë u shfaqën për herë të parë për publikun në mjediset e Bibliotekës së Kryeministrisë, në Tiranë, me praninë e shumë dashamirësve të shkrimtarit shqiptar, familjarëve të tij por edhe autoriteteve shtetërore.
Këto dorëshkrime janë ekspozuar në formën e një instalacioni poliedrik, ruajtur me shumë nderim në mjediset e Qendrës për Hapje dhe Dialog, shkruan “ATSH”.
“Vendekspozimi i këtyre dorëshkrimeve riskicohet prej prezencës dhe peshës së veprave të ekspozuara si një pallat i ëndërrave të dëshiruara e të lëna përgjysmë prej Kadaresë, e që tashmë na ngelet ne t’i rrugëtojmë siç duhet”,- deklaroi drejtoresha e COD, Jetona Koçibelli.
Ekspozita shpalos dorëshkrimet e shkrimtarit me 44.488 faqe, ku përfshihen romane të pabotuara, poezi dhe skica, që përshkruajnë një jetë krijimi që në moshën 11-vjeçare dhe deri në fund të jetës.
Kjo ekspozitë vjen si bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, drejtori i së cilës, Ardit Bido, u shpreh se Ismail Kadare ishte një shkrimtar që në gjithë veprën e tij ngre lart shqiptarinë.
Vajza e Kadaresë shprehu mirënjohjen për DPA-në dhe COD-in që organizuan ekspozitën, pas dhurimit të këtyre dorëshkrimeve nga familja Kadare.
“Ndjesi e re t’i shoh këtu pasi jam mësuar t’i shoh nëpër kartona e nëpër dollape. Mundësi që t’i kenë brezat e ardhshëm, pasi është si kronikë e rrugëtimit të kombit shqiptar”,- u shreh ajo, ndërsa ndau një poezi me të pranishmit që e cilësoi si një testament të shkruar herët.
Kjo ekspozitë përbën mundësi të rrallë për të eksploruar botën e panjohur të Kadaresë: veprat dhe shënimet që ndriçojnë procesin e tij krijues. Çdo faqe dorëshkrimi është një udhëtim në mendimin dhe artin e tij, ku secila ide dhe reflektim shpërfaqet në mënyra të reja e të befasishme.
