Ministrja Pirdeni (Foto Atsh)
Shqipëria mirëpriti për herë të parë takimin e Ballkanit Perëndimor për Partneritetin e Qeverisjes së Hapur (OGP), me të pranishëm mbi 60 përfaqësues nga rajoni dhe vendet partnere, përfshirë institucionet qeveritare, shoqëria civile, akademikët dhe sektorin privat.
Takimi nisi me Sesionin Ministror të Ballkanit Perëndimor, ku ministrat, që udhëheqin agjendën për qeverisjen e hapur në vendet e rajonit, ndanë përvojat dhe prioritetet e tyre në këtë agjendë. Ata diskutuan edhe për ndërtimin e një strategjie të përbashkët për përballimin e sfidave rajonale në drejtim të qeverisjes së hapur dhe transparente.
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, theksoi se ky takim është një dëshmi e përkushtimit të palëkundur të Shqipërisë për të zbatuar reformat dhe për të përforcuar transparencë dhe llogaridhënien në sektorin publik, shkruan “ATSH”.
Ministrja Pirdeni deklaroi se tre faktor kyçë, transparenca, integriteti dhe llogaridhënia në administratë dhe institucione, do të jenë pjesë e pandarë e rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ajo thekesoi se gjatë këtij takimi fokusi do të jetë te transparenca, përgjegjshmëria dhe angazhimi qytetar, jo vetëm për të vlerësuar progresin e bërë, por për të ndërtuar një rrugë të guximshme përpara.
“Që nga anëtarësimi në OGP në vitin 2011, Shqipëria ka punuar me intensitet drejt qeverisjes së hapur. Me çdo Plan Kombëtar Veprimi, përfshirë planin tonë të gjashtë aktual, ne kemi vendosur synime ambicioze që na shtyjnë drejt një qeverie që nuk është vetëm transparente në fjalë, por edhe llogaridhënëse në veprime. Ky plan i gjashtë veprimi është pjesë integrale e Udhërrëfyesit tonë më të gjerë për vitin 2030, një vizion që harmonizohet me rrugëtimin tonë të integrimit në BE, duke e drejtuar Shqipërinë drejt një qeverisjeje moderne, digjitale dhe me fokus qytetarin”,- u shpreh ministrja.
Pirdeni nënvizoi se integrimi në BE dhe axhenda për qeverisje të hapur janë shtylla të veçanta, por dhe janë thellësisht të ndërlidhura.
“Angazhimet tona për qeverisjen e hapur thellojnë përafrimin tonë me standardet e BE-së, ndërsa aspiratat për anëtarësim në BE ushqejnë rrugëtimin tonë drejt një qeverisjeje vërtet të hapur. Ky angazhim i dyfishtë përforcohet edhe nga prania e Delegacionit të Bashkimit Evropian sot në këtë diskutim, si një partner i çmuar, mbështetja e të cilit forcon përpjekjet tona për të zgjeruar praktikat e qeverisjes së hapur jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Ballkanin Perëndimor”,- tha ministrja Pirdeni.
Shqipëria, e cila është anëtare e OGP-së që prej themelimit të iniciativës nga viti 2011, ka zhvilluar dhe zbatuar gjashtë Plane Kombëtare Veprimi, të cilat përfshijnë një numër angazhimesh për rritjen e transparencës, thellimin e luftës kundër korrupsionit, përmirësimin e qasjes së qytetarëve në drejtësi dhe garantimin e shërbimeve publike gjithëpërfshirëse.
Ky event i rëndësishëm rajonal organizohet nga Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, në bashkëpunim me OGP-në dhe Shkollën Rajonale Europiane të Administratës Publike (ReSPA), me qëllim promovimin e integritetit dhe transparencës institucionale, për të fuqizuar pjesëmarrjen e qytetarëve në qeverisje, si dhe për të shfrytëzuar teknologjitë e reja drejt forcimit të qeverisjes llogaridhënëse.