Fisnik Ukmata, këngëtari gjakovar që ruan me fanatizëm muzikën popullore
2024-11-16 10:39:05

Fisnik Ukmata është këngëtar i muzikës popullore qytetare nga Gjakova. Ai prej vitesh interpreton këngë popullore gjakovare, por dhe të tevave të tjera të Shqipërisë, kryesisht të Shqipërisë së mesme. Fisniku ka realizuar disa materiale muzikore, ku disa prej tyre i ka publikuar në kanalin YouTube, dhe janë pritur mirë nga artdashësit. Gjithashtu ai ka qenë i angazhuar me muzikë live në ambiente të ndryshme në Kosovë dhe në disa shtete të Europës. Para pak ditësh mori pjesë në programin e Top Channel “Na bashkoi kënga popullore”, ku interpretoi dy këngë popullore qytetare. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për fillimet e tij në muzikën popullore, aktivitetet ku ka marrë pjesë dhe projektet.

Fisnik Ukmata (Foto personale)

Fisnik Ukmata (Foto personale)

CMG: Si kanë qenë fillimet tuaja me muzikën popullore qytetare?

Fisnik Ukmata: Nuk më kujtohet saktësisht sesi ka linduar pasioni për muzikën popullore, por që në moshën shtatë vjeçare kisha entuziazmin për të kënduar. Më kujtohet sikur sot kur kishim një aheng tek një i afërm i familjes dhe bëra çmos që këngëtari të më japë mikrofonin për të kënduar dy këngë. Ka qenë një këngë e Haxhi Maqellarës, dhe kënga tjetër “Byrek, byrek”.

Fisnik Ukmata gjate nje performance (Foto personale)

Fisnik Ukmata gjate nje performance (Foto personale)

CMG: Muzikën e ke të trashëguar nga dikush tjetër në familje?

Fisnik Ukmata: Babai im ka kënduar për qejf nëpër gëzimet familjare dhe nuk ka qenë këngëtar skenik për publikun, por vetëm për shpirtin e vet. Unë pasi e humba babain në vitin 1995, kur nuk i kisha mbushur 15 vjeç, dëgjoja të gjitha audiokasetat që ai i kishte lënë me muzikë të pastër shqipe, këngë burimore gjakovare, që ne si Gjakovë e ruajmë dhe e kultivojmë melosin popullor të këngës së bukur. Pikërisht ato kaseta ishin me këngë gjakovare të Ismet Pejës, sofrat gjakovare, Ismet Bytyçi, Shkëlzen Jetishi, Zenel Doli, Ismail Peja, Qamilit të vogël e shumë këngëtarëve të tjerë. Kur i dëgjoja ato audiokaseta që i kishte lënë babi, më dukej sikur e kam pranë dhe mërzitesha shumë. Kjo më shtyu më shumë për ta dashur muzikën dhe lindi psioni i madh vetëm duke dëgjuar këngë.

Fisnik Ukmata me kengetaret Shkelzen Jetishi dhe Kastriot Tusha (Foto personale)

Fisnik Ukmata me kengetaret Shkelzen Jetishi dhe Kastriot Tusha (Foto personale)

CMG: Gjithë këto vite të karrierës muzikore e ke ruajtur të pastër në interpretim këngën popullore gjakovare, por dhetë  trevave të tjera të Shqipërisë. Ka qenë e lehtë për ta ruajtur të pastër këtë traditë?

Fisnik Ukmata: Mendoj se nëse do të qëndrosh këngëtar skenik, duhet të ofrosh atë që kërkon publiku. Publiku sot po kërkon dhe tallava, që unë nuk e kam dëgjuar asnjëherë dhe nuk kam provuar asnjëherë ta këndoj, sepse nuk fle tek unë. Kënga e pastër shqipe dhe ajo qytetare fle tek unë, ai që e do muzikën qytetare mund të më ketë prezent në eventet e tyre.

CMG: Ke ndonjë këngëtar idhull të muzikës popullore qytetare?

Fisnik Ukmata ne interviste per CMG

Fisnik Ukmata ne interviste per CMG

Fisnik Ukmata: Patjetër që po, pëlqej shumë këngët e Isuf Myzyrit, vëllezërit Zena, Myslym Lela, që e pata takuar në Tiranë në vitin 1998 dhe më dhuroi të gjitha llojet e audiokasetave, që unë i ruaj me fanatizëm në shtëpi. Gjithashtu më pëlqen Merita Halili, Parashqevi Simaku dhe shumë këngëtarë të tjerë.

CMG: Muzika popullore gjakovare ngjason shumë me atë të trevës së Shqipërisë së mesme. Besoj se i ke ndjekur gjithmonë nëpër programe televizive këngëtarët popullorë të Shqipërisë?

Fisnik Ukmata: Unë mbaj mend kur isha i vogël që Gjakova ishte i vetmi qytet në Kosovë që kishte transmetim të RTSH-së. Kjo është njëra prej arsyeve që ne na ka dhënë më shumë motivim për t’i ruajtur pastër këngët shqiptare, sepse kemi dëgjuar këngët e Isuf Myzyrit, Myzlym Lelës, duke marrë dhe tekstet në atë kohë sipas këngëtarëve më të vjetër të Shqipërisë. Edhe sot vazhdojmë të kultivojmë muzikën e pastër popullore.

Fisnik Ukmata ne nje aktivitet (Foto personale)

Fisnik Ukmata ne nje aktivitet (Foto personale)

CMG: Prej disa vitesh ke jetuar në emigracion, ku ke kultivuar muzikën popullore tradicionale shqiptare. Flasim për aktivitetin tënd muzikor jashtë vendit?

Fisnik Ukmata: Kam qenë në Zvicër, ku kam punuar tek Oda shqiptare dhe te një lokal tjetër, lokale në Lozanë. Pastaj kalova në Freiburg, ku për një vit bëja muzikë çdo natë. Aty më pëlqente se ishim shumë këngëtarë, ku disa këndonin muzikë tallava, dhe kur vinin familjarë kërkonin muzikë qytetare dhe këndoja unë. Më vonë shkova në Londër, ku fillimisht nuk mendova që të bëja muzikë, por fillova të punoja në zanatin tim që e kam patur në atë kohë, kamarier. Ndërkohë që një natë ishim mbledhur disa persona dhe njëri filloi të këndojë dhe më ftuan mua të këndoja. Ditën tjetër kishim muzikë live aty dhe më ftuan të këndoja, dhe që prej asaj nate çdo të premte dhe të shtunë isha si mysafir nderi. Pastaj vazhduan dhe ahengjet familjare, ku njerëzit më ftonin në gëzimet e tyre familjare.

Fisniku gjate koncerteve (Foto personale)

Fisniku gjate koncerteve (Foto personale)

CMG: Në kanalin e YouTube ke publikuar vetëm këngët të vjetra popullore,  apo ke sjellë dhe krijimtari të re?

Fisnik Ukmata: Kam bërë një bashkëpunim me kolegen time, Dorina Bicurrin, me të cilën realizuam një këngë të re të titulluar “Maturant”, me tekst të Shkëlqim Rracit dhe muzikë të Hykli Bycit. Kjo këngë ka dalë në vitin 2007. Pastaj bëra  disa cover me këngë të njohura popullore, që dëgjohen edhe sot.

Fisnik Ukmata duke kenduar (Foto personale)

Fisnik Ukmata duke kenduar (Foto personale)

CMG: Ke ardhur në Tiranë për të marrë pjesë në programin televiziv “Na bashkoi kënga popullore” në Top Channel. Si u ndjeve në këtë program mes këngëtarëve të tjerë të muzikës popullore?

Fisnik Ukmata: Është krenari dhe privilegj të jesh pjesë e atij programi, sidomos një program i bukur nga Manushi dhe Ervini. Unë isha pjesë e këtij programi, ku bëmë disa xhirime. Këndova dy këngë, njëra ishte “Nuk ka jetë pa arshikni”, që është e krijuar 15 vite më parë. Tekstin e kësaj kënge e ka shkruar Shkëlqim Rraci dhe muzikën Saba Bytyçi, tashmë i ndjerë. Kënga e dytë është “Lule të bukura ka Tirana”, sepse të vish në Tiranë dhe të këndosh këtë këngë duhet të kesh shumë guxim. Kjo është ndër këngët që e kam më përzemër, po ashtu dhe interpretuesen e kësaj kënge, Merita Halilin.

Fisniku ne moshe te vogel me shoqerine (Foto personale)

Fisniku ne moshe te vogel me shoqerine (Foto personale)

CMG: Luan në ndonjë instrument muzikor?

Fisnik Ukmata: Luaj pak në piano, sa për t’u ushtruar për vete.

CMG: Cilat janë projektet muzikore në vazhdim?

Fisnik Ukmata: Për festat e fundvitit do të realizoj një këngë tjetër të re, por do të bëjmë dhe disa xhirime për televizionet e Kosovës. Kënaqësi të marr pjesë dhe në organizimet në Shqipëri, nëse do të kemi ftesa.

Intervistoi: Gazmend Agaj