Oecd (Foto Atsh)
Më shumë njerëz se kurrë më parë emigruan nga vendlindja e tyre në shtetet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) gjatë vitit 2023.
Në raportin e organizatës, “OECD Migration Outlook 2024”, thuhet se rreth 6.5 milionë njerëz mbërritën në vendet e OECD si emigrantë vitin e kaluar, citon “ATSH”.
Raporti vlerëson veçanërisht rritjen e emigracionit të përkohshëm për motive punësimi dhe numrin rekord të kërkesave për azil, të cilat janë regjistruar kryesisht në SHBA.
Megjithatë, pothuajse një e treta e emigracionit është ende për shkak të bashkimit familjar.
Gjermania ka pasur një rritje të numrit të azilkërkuesve. Vitin e kaluar janë paraqitur 329 mijë kërkesa për azil, 51% më shumë se një vit më parë. Shumica e aplikimeve ishin nga njerëz që dëshironin të largoheshin nga Siria, Turqia dhe Afganistani. 62% e kërkesave për azil janë pranuar.
Megjithatë, pjesa më e madhe e emigracionit, rreth gjysma, është për shkak të lirisë së lëvizjes brenda Bashkimit Europian (BE).
OECD-ja ka 38 vende anëtare, duke përfshirë vendet e industrializuara të Europës, Amerikës së Veriut, Japonisë, Koresë së Jugut, Australisë dhe Zelandës së Re.