Policia greke ndaloi në brigjet e Kretës mbi 200 emigrantë
2024-11-16 17:29:33

Emigrantet (Foto Atsh)

Emigrantet (Foto Atsh)

Roja Bregdetare greke njoftoi se ndaloi në brigjet e Kretës më shumë se 200 emigrantë, në 48 orë, dhe i dërgoi ata në një vend të sigurt.

Emigrantët ishin nisur nga qyteti port libian i Tobrukut.

Një oficer i Rojës Bregdetare greke deklaroi në një intervistë televizive se kontrabandistët po bëjnë biznes fitimprurës, pasi, sipas emigrantëve, ata marrin deri në 6000 euro për person për kalimin në Kretë, shkruan “ATSH”.

Zëvendësministrja greke për Emigracionin, Sofia Voultepsi, tha në një intervistë radiofonike se problemi i të ashtuquajturës rrugë jugore nga Tobruku në Kretë po bëhet gjithnjë e më serioz.

Sipas ministrit të Emigracionit, Nikos Panagiotopoulos, shumica e emigrantëve që mbërrijnë në Greqi planifikojnë të udhëtojnë drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera të Evropës Perëndimore, sapo të kenë mundësinë ose pasi të kenë marrë azil në Greqi.

Rreth 52.000 emigrantë kanë mbërritur në Greqi që nga fillimi i vitit deri më 10 nëntor, me 45.769 prej tyre nga deti, njoftoi Agjencia për Refugjatët e Kombeve të Bashkuara, UNHCR.