Ministrja Kumbaro: Gati 5 milionë vizitorë në zonat e mbrojtura nga janari në tetor
2024-11-16 17:15:54

Turiste (Foto Atsh)

Turiste (Foto Atsh)

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, deklaroi se nga janari në tetor ka pasur rreth 4.9 milionë vizitorë në zonat e mbrojtura, nga parqet kombëtare, parqet natyrore e deri te monumentet e natyrës.

Ministrja Kumbaro tha se kjo shifër tejkalon edhe atë të vitit 2023, si prova më e qartë e shtrirjes së turizmit gjatë gjithë vitit, diversifikimit dhe zhvillimit të ekoturizmit. 

Sipas saj, vetëm gjatë muajit tetor pati gati 440 mijë vizitorë në zonat e mbrojtura, citon “ATSH”.

Të dhënat nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura tregojnë se përgjatë 10 muajve, 3.2 milionë vizitorë kanë qenë vendas dhe 1.7 milionë vizitorë të huaj.

Parqet më të vizituar gjatë kësaj periudhe janë: Parku Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” 78 mijë vizitorë; Parku Kombëtar “Divjakë-Karavasta” 29 mijë vizitorë, Parku Kombëtar Butrint 17 mijë vizitorë.

Zonat e Mbrojtura në Shqipëri vlerësohen si një mundësi efektive për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. Prandaj dhe po punohet fort që këto zona të promovohen për vlerat e jashtëzakonshme të biodiversitetit që ato mbartin, por edhe si destinacione të rëndësishme turistike në nivel kombëtar dhe më gjerë.