Investitoret austriake (Foto Atsh)
Një grup investitorësh austriakë, të cilët kanë shprehur interes për tregun shqiptar, si dhe përfaqësues të ambasadës së Austrisë në Shqipëri, u pritën nga drejtues të Agjencisë Kombëtare të Zhvillimit të Investimeve, Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si dhe Drejtorisë së Tatimeve.
Drejtoresha e AIDA-s, Laura Saro, theksoi gatishmërinë e institucionit që drejton për të realizuar projektpropozimet, si dhe prezantoi projektet e fundit në bashkëpunim me ministritë dhe investitorë potencialë, duke i ofruar mbështetje për zgjidhjen e problematikave të bizneseve austriake që operojnë në Shqipëri.
Ambasadorja Zach theksoi se marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe Austrisë kanë pësuar një përmirësim të ndjeshëm. Por, sipas saj, ka ende hapësirë që të dy vendet të forcojnë më tej marrëdhëniet në disa sektorë me potencial të lartë zhvillimi, shkruan “ATSH”.
Shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me Austrinë llogariten 7.8 miliardë lekë gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti.
Marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Austrisë janë intensifikuar dukshëm gjatë viteve të fundit. Sidomos sistemi bankar dhe ai i sigurimeve dominohen aktualisht nga biznese austriake.
Në Shqipëri operojnë gjithsej 100 ndërmarrje me kapital austriak (përfshirë edhe ndërmarrjet me kapital të përbashkët).