Samiti i Rio de Zhanejro dhe modeli kinez në uljen e nivelit të varfërisë dhe të urisë!
2024-11-16 01:28:20

Pas pak ditësh në Rio de Zhanejro të Brazilit do të mbahet takimi i radhës i 20 vendeve me ekonominë më të madhe të globit. Samiti i G20-ës është formuar si një forum i ngjanshëm me atë të G7-ës në vitin 1999. Tashmë prej 25 vitesh këto vende të fuqishme nga të gjitha kontinentet, sidomos Azia, Europa e Amerika mblidhen së bashku sipas një grafiku në vendet e radhës, për të organizuar samitin e radhës. Rio de Zhanejro u zgjodh vitin e kaluar, si kryeqyteti i radhës të këtij Samiti. Brazili ka aktualisht presidencën e këtij Grupi. Si një vend i madh në Amerikën Jugore e Qendrore, ai zë një peshë të jashtëzakonshme në gjeopolitikën e botës, po të kemi parasysh sidomos Amazonën si mushkëria e frymëmarrjes së saj. Samitet e tri viteve të fundit janë zhvilluar në vende të pazhvilluara, përkatësisht në Indonezi, në Indi dhe tani në Brazil. 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Vendi organizator në përgjithësi luan rol të dukshëm për të përcaktuar rendin e ditës, vendimmarrjen dhe realizuar konsensus për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për botën. Kësaj radhe u përzgjodh si temë themelore, ajo e pabarazisë. Tema e samitit të kësaj here është "ndërtimi i një bote të drejtë në një planet të qëndrueshëm". Vendi organizator, Brazili, do të deklarojë në ceremoninë e hapjes krijimin e aleancës globale kundër urisë dhe varfërisë. Kjo iniciativë synon t'i mobilizojë vendet anëtare dhe organizatat ndërkombëtare të bëjnë përpjekje për zhdukjen e varfërisë dhe të urisë para fundit të vitit 2030.

Me qëllim arritjen e këtij objektivi është ndërtuar edhe rendi i ditës nga ana e ministrave të Financës dhe Punëve të Jashtme të këtyre vendeve. Në samit ato do të përfaqësohen nga krerët e shteteve, kryeministrat dhe në raste të veçanta, si të Gjermanisë, nga ministri i Punëve të Jashtme. Ky rend dite lidhet me luftën kundër pabarazisë, e cila shihet si shkaku kryesor i urisë dhe varfërisë në botë. Njerëzit janë të ndryshëm dhe me aftësi dalluese nga njëri-tjetri dhe duhet pranuar se ky është shkak i pabarazisë, pra edhe varfërisë dhe urisë në botë. Por politikat e zhvillimit të shteteve kanë favorizuar zhvillimin e pabarabartë e të njëanshëm në kontinente, rajone e shtete të ndryshme të globit. Reduktimi i varfërisë dhe lufta kundër urisë duket se përshtatet plotësisht me disa masa, të cilat do të diskutohen në samit. Këto përfshijnë jo vetëm krijimin e një balance në zhvillimin midis shteteve e rajoneve, por edhe Investime, konsolidimin e shtetit të së drejtës, arsimim e kualifikim më të madh, rritjen e shanseve së grave në tregun e punës etj.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ndërkohë samiti i Rio de Zhanejro do të ketë në fokus krijimin e një balance të pranueshme në shpërndarjen e të ardhurave dhe të pasurisë. Kjo sepse në dy dekadat e fundit është rritur hendeku midis përqëndrimit të pasurisë në duart e disa njerëzve dhe varfërisë në rritje e në zgjerim të vazhdueshëm tek pjesa më e madhe e popullsisë. Ndërsa shtresa e mesme ekziston vetëm në bendet e zhvilluara e të industrializuara. Ky fenomen nuk ka prek SHB-të, Europën dhe Kinën. Ndërsa vendet e tjera, sipas të dhënave të Bankës Botërore, kanë një pabarazi të madhe në shpërndarjen e të ardhurave. Në rajonet më të shumta të botës janë vetëm 10 përqind e njerëzve që zotërojnë 60 përqind të pasurisë e të të ardhurave. Nga përllogaritjet, dhjetë përqind e popullsisë posedon 2/3 e pasurisë globale. Kjo është pabarazi e thelluar dhe pabarazia duket se është shkaku kryesor i varfërisë dhe urisë në botë, po ashtu edhe e konflikteve dhe luftërave.

Në këtë aspekt bëjnë dallim vendet e zhvilluara. Republika Popullore e Kinës mund të japë në këtë samit modelin, sesi vendet në zhvillim të pabarabartë të arrijnë objektivat e tyre për të reduktuar maksimalisht varfërinë dhe luftuar urinë. Kina ka ulur në 12 vitet e fundit në mënyrë drastike varfërinë dhe thuajse ka eliminuar urinë në një popullsi prej mbi 1 miliard e 400 milion banorë. Ndaj dhe presidenti kinez, Xi Jinping, shkon në samitin e Rio de Zhanejro me arritje dhe me një eksperiencë të provuar në praktikë. Ai do të japë modelin e luftës që Pekini ka bërë në dy dekadat e fundit dhe bën edhe sot kundër këtyre fenomeneve anti-njerëzore.

Presidenti kinez Xi Jinping në mbledhje dekorimi të çmimit për të vlerësuar ata që kanë dhënë kontribut në zhdukjen e varfërisë në vend, shkurt 2021/Xinhua 

Shpesh herë rezultati kinez në luftën kundër varfërisë dhe urisë interpretohet me fiksione jo realiste. E vërteta është se ky proces ka ndodhur përmes rritjes së rolit dhe kompetencave, pra rritjes së lirisë, nga ana e provincave dhe komunave. Pa liberalizimin e përgjegjësisë, nuk mund të shkosh drejt rezultatit të tillë. Nga ana tjetër Kina kuptoi se çelësi i përmirësimit të pabarazisë në favor të të varfërve është rritja e zhvillimit teknologjik. Kjo eksperiencë perëndimore u bë pjesë e politikës së lidershipit të Kinës. Ndërkohë investimet infrastrukturore kudo e në të gjithë territorin kinez i dhanë shansin provincave të lidhen me jetën urbane, si kusht i domosdoshëm për zhvillim, emancipim dhe aftësi për përdorimin e teknologjisë së lartë. Samiti i Brazilit në thelb ka e duhet të ketë modelin e Republikës Popullore të Kinës për të realizuar objektivat e tij për arritje thelbësore në reduktimin e varfërisë dhe luftën kundër urisë brenda vitit 2030!