Rrëfimi i Najada Elmazit
2024-11-16 10:34:36

Para disa vitesh kam studiuar literaturë, sidomos estetikën dhe është shumë e vështirë të gjesh një përcaktim të saktë të fjalës art. Arti është njësoj si e bukura, nuk kanë përcaktim. Profesori im i mjeshtërisë së aktorit Birçe Hasko e thoshte gjithmonë: shqisat, pesë shqisat. Pra duhen shqisat. Për mua arti është aftësia e njohjes.

Duke qenë se unë jam natyrë që i dua gjërat në perfeksion dhe në fakt është e gabuar, sigurisht që ju rikthehem gjërave dhe shpesh herë i vuaj dhe them përse duhet ta kisha toleruar një gjë, duhet të isha shumë e kujdesshme, kisha mundësi të jepja maksimumin, por ndonjëherë dalim tek ato fjalët klishe që ne mësojmë nga gabimet, por sigurisht që pendohem herë pas here. Janë gjëra që duhet t’i kisha bërë shumë më mirë me mundësitë që kam pasur.

Frymëzimin jam mësuar që të mos kërkoj vetëm në gjëra pompoze apo të mëdha, por ta kërkoj edhe në gjëra të vogla. Gjatë gjithë kohës mundohem të jem e vëmendshme dhe të vë re çdo gjë që shikoj. Pra mund ta gjej tek një pikë shiu në dritare, tek fërshëllima e erës, tek dallga e detit, tek fëmijët me të cilët punoj. Frymëzimin mund ta gjesh kudo. Mjafton që ti të jesh e vëmendshme përgjatë gjithë kohës.

Në fakt po ta mendoj thellë nuk është se pata një arsye konkrete, ndoshta ishte instikti, intuita, ndonjëherë të therret e brendshmja që ti duhet të ndjekësh këtë rrugë dhe ishte spontanitet që ndodhi natyrshëm. Sigurisht që kam pasur lëkundjet e mia, pikëpyetjet e mëdha, atë pjesën ekzistenciale të vazhdoj apo mos të vazhdoj, ato luftërat e brendshme, a jam në rrugën e duhur sepse të punosh me fëmijët është një përgjegjësi shumë e madhe.

Ti ke të bësh me një brez të ri të cilin i drejton intelektualisht dhe nëqoftëse i devijon sidomos në art, nëqoftëse i jep leksionet gabim, sepse ata të shohin si model, si shembull sepse fëmijët të imitojnë dhe të imitojnë keq ndaj mundohem të mos i deformoj, thjesht ua shpjegoj dhe ata të nxjerrin gjithësecili individualitetin e vet. Filloi të më pëlqente sinqeriteti, dashuria e tyre, që ata të shohin si gjënë më të shenjtë dhe të jepen me gjithë qënien e tyre dhe hap pas hapi duke krijuar shfaqje edhe me besimin e prindërve, duke parë edhe ecurinë e fëmijëve, mbështetjen e publikut filluam të shikonim që shfaqjet kishin  një lloj ecurie dhe krijimtarie.

Në fakt kur vjen puna tek krijimtaria më ndodhin gjërat shumë natyrshëm. Kështu lindi edhe puna me fëmijët. Fillimisht nuk doja një tekst të gatshëm sepse është një punë laborator dhe pak a shumë sipas mënyrës time se ka regjisorë të ndryshëm që funksionojnë në mënyra krejt të tjera. Fillova të shikoja cila është më e mira për ata, sepse fëmijët janë ta patrajnuar, disa janë të vegjël, disa kanë një bllokim të brendshëm, disa kanë ndrojtje me publikun dhe  mbi të gjitha duhet t’i bëja që ata të ishin të lirshëm me veten e tyre, pra ta shikonin veten si një instrument që të fillonin të eksploronin.

Duke ju dhënë etyde, tema të lirshme mendova që mos t’i kufizoja me personazhe të gatshme. Ndërkohë hap pas hapi, etyd pas etydi, fjalë pas fjale filluam ta zgjeronim shfaqjen dhe me një punë intensive dhe me përkushtim shumë të madh erdhi shfaqja “Fëmijët e magjepsur”. Në fakt kjo është hera e dytë që ne vijmë. Në fillim ka qenë “Busulla magjike”, duke qenë se shfaqja pati sukses sollën shfaqjen e dytë “Fëmijët e magjepsur”. Nuk e di ndoshta do të bëjmë një episod të tretë, të shohim sesi do të frymëzohemi rrugës.

Çdo punë ka sfidat e veta. Me fëmijët është problematike sepse duhet disiplinë shumë e hekurt, e kanë shumë të thjeshtë shpërqëndrimin dhe mbi të gjitha ndonjëherë nuk kuptojnë edhe rëndësinë e të qënit në skenë. Pra shpesh herë gjërat i marin si lojë. Përveçse duhet ti drejtosh është shumë e vështirë që të përpunosh karakteret e tyre dhe ti bindësh përse ky lloj interpretimi duhet bërë në këtë lloj mënyre apo përse shfaqja duhet të ketë këtë lloj koncepti.

Të them të drejtën thjesht nuk kam pasur kohë të merem me aktrim dhe ndoshta do të duhet një regjisor shumë i mirë dhe shumë i fort sepse është njësoj si të zhvillosh instiktet. Kam pasur kërkesa për të interpretuar. Kam interpretuar shumë pak, vetëm kur kam qenë e lirë sepse kam qenë shumë intensive në të marurit me regji. Çdo vit kam sjellë nga një shfaqje deri tek përzgjedhja e shfaqjes, tek përzgjedhja  stafit është një proces shumë shumë i vështirë dhe për më tepër regjisori është gjtë gjithë kohës në sulm pas perdeve, pavarësisht jo të gjithë e njohin profesionin e regjisë, edhe në jetën e përditshme je në kërkim gjatë gjithë kohës, pra nuk ke qetësi kurrë. Gjithnjë je me ato luftrat e tua të brendshme.

Ndonjëherë mund të bësh diçka që nuk e ke menduar kurrë. Është shumë thjesht që ne ta kanalizojmë veten diku por dikush tjetër mund të ngacmohet nga disa elemente që nuk i ke menduar asnjëherë si përshembull Jim Carrey në dramën e tij unë e pëlqeva jashtë mase pra më shumë se në komedi, është shije personale. E kam parë veten tek rolet dramatike dhe tek ato psikologjike. Edhe professor Birçe ma ka thënë që në vitin e parë: Najada ti je një natyrë dramatike. Deri këtu kam eksploruar më tej nuk e di. Veprat që deri tani i kam patur dëshirë dhe pasion i kam vendosur në skenë. Vazhdoj të jem në proces kërkimi. E di, po ti shikoj të gjitha ka nga një element shumë të rëndësishëm njerëzor, kam pasur mesazhe shumë të mëdha. Të gjitha do të doja ti riktheja prap sepse janë kryevepra botërore ato që kam punuar. Përsa i përket audiencës do të doja shumë të riktheja black comedy (komedia e zezë) sepse është  një shfaqje e cila zhvillohet e gjitha në errësirë dhe aty ndodhin keqkuptimet më të mëdha.

Sfida e parë ka qenë konkurimi për të hyrë në Universitetin e Arteve sepse gjatë gjithë kohës në Sarandë, mua prindërit më ushqenin me idenë e skenës, pastaj kur erdhi momenti që vërtet e doja këtë shkollë më thanë: stop. Kjo ishte një luftë shumë e madhe që mua mu desh të punoja me ta për rreth një vit, të bindja prindërit dhe deri sa hyr në Universitetin e Arteve pastaj arti ka shumë protagonizëm dhe është shumë e vështirë që ti të dalësh në sipërfaqje.

Çfarë do të ndryshoja? Është një listë shumë e gjatë. E para , duke filluar që nga fondet sepse çdo punë do staf i cili duhet motivuar, që nga salla, teknikët, që nga akustika, që tek promovimi, që tek shfaqjet e fëmijëve që u kushtohet shumë pak rëndësi etj. Pra do të ishte një luftë shumë e gjatë dhe gjatë gjithë kohës të gjithë artistët flasin për këto probleme, të paktën kanë folur që kur unë kam studiuar për aktrim. Kemi njëzetë vjet që flasim për të njëjtat gjëra. Është e kotë ta vazhdoj më tej.

Jerida Sakaj