BERZH: Shqipëria, një ndër performancat më të mira ekonomike në rajon
2024-11-16 14:54:28

Sejko-Berzh (Foto Atsh)

Sejko-Berzh (Foto Atsh)

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, priti në takim përfaqësuesit e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), kryesuar nga Christoph Denk, drejtor i Politikave Strategjike, Piotr Jacek Szpunar, drejtor rajonal për Poloninë, Bullgarinë dhe Shqipërinë, si dhe Ekaterina Solovova, përfaqësuese rezidente e BERZH-it në Shqipëri, shkruan “ATSH”.

Sejko shprehu mirënjohje për kontributin dhe asistencën e ofruar nga BERZH-i për Bankën e Shqipërisë, kryesisht në fushat e mbikëqyrjes bankare, stabilitetit financiar dhe në përafrimin e kuadrit rregullator e mbikëqyrës me standardet e Bashkimit Europian, pa lënë mënjanë mbështetjen që ky institucion jep dhe në fusha të tjera të ekonomisë, si në përparimin e energjisë së rinovueshme, transportit dhe sektorëve të turizmit dhe bujqësisë.

Gjatë takimit u diskutua mbi zhvillimet ekonomike në vend, me fokus të veçantë te sistemi financiar e bankar, si dhe pritshmëritë për ekonominë.

Guvernatori Sejko theksoi se gjatë vitit 2024 ekonomia shqiptare ka bërë progres të dukshëm. Sipas tij, në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria ka një ndër normat më të ulëta të inflacionit dhe rritjen më të ngadaltë të kostove të financimit.

Guvernatori i njohu të pranishmit dhe me masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për dixhitalizimin e sistemit të pagesave dhe aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në zonën SEPA, si një hap i rëndësishëm në rrugëtimin drejt BE-së.

Përfaqësuesit e BERZH-it vlerësuan kontributin e Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit. Ata theksuan rolin esencial që politika e kujdesshme monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë si dhe regjimi i lirë i kursit të këmbimit kanë pasur në ruajtjen e stabilitetit dhe në përballimin e goditjeve, duke i mundësuar vendit të ketë një ndër performancat më të mira ekonomike në rajon.

Po ashtu, ata nënvizuan dhe suksesin që masat mbikëqyrëse dhe politika rregullatore kanë pasur në garantimin e qëndrueshmërisë së sektorit bankar dhe në ecurinë e mirë të kreditimit.

Përfaqësuesit e BERZH-it inkurajuan vijimin e kësaj filozofie administrimi ekonomik edhe në të ardhmen, duke theksuar rëndësinë që një bankë qendrore profesionale, e përgjegjshme dhe e pavarur, ka për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.