Foto nga VCG
Me ftesë të presidentes së Republikës së Perusë, Dina Boluarte, presidenti i Republikës Popullore të Kinës Xi Jinping zhvilloi një vizitë shtetërore në Republikën e Perusë më 14 nëntor 2024. Të dy krerët e shtetit zhvilluan bisedime në Pallatin Presidencial në kryeqytetin Lima dhe shkëmbyen mendime të thelluara mbi marrëdhëniet dypalëshe e çështjet me interes të përbashkët, duke arritur konsensus të gjerë.
1.Të dyja palët theksuan se gjatë 53 vjetëve që prej vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, veçanërisht që nga krijimi i partneritetit të gjithanshëm strategjik në vitin 2013, të dy vendet kanë forcuar vazhdimisht besimin e ndërsjellë dhe bashkëpunimin praktik në fusha të ndryshme, duke sjellë përfitime të prekshme për të dy popujt.
2. Të dyja palët shprehen të kënaqura me rezultatet e frytshme të bisedimeve, të cilat do të thellojnë bashkëpunimin ndërmjet tyre në fushat strategjike si infrastruktura, energjetika dhe minierat. Të dyja palët theksuan se “Plani i përbashkët i veprimit nga viti 2024 deri më 2029” ka një rëndësi të madhe për nxitjen e zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe premtuan të ndërmarrin veprime konkrete për zbatimin e këtij plani.
3. Peruja shprehu urimet më të ngrohta për 75-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës dhe vlerësoi përparimin që ka bërë Kina në procesin e saj të modernizimit. Të dyja palët theksuan se zhvillimi i Kinës ka sjellë mundësi të reja bashkëpunimi për vendet në zhvillim, duke përfshirë Perunë. Kina përsërit mbështetjen e saj për ndjekjen nga Peruja të një rruge zhvillimi ekonomik e shoqëror që përputhet me kushtet e Perusë dhe dëshiron që Peruja të arrijë qëllimet përkatëse.
4. Të dyja palët rikonfirmuan përkushtimin e tyre ndaj qëllimeve e parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe respektimit të sovranitetit kombëtar, integritetit territorial dhe interesave thelbësore të të gjitha vendeve. Peruja ritheksoi zbatimin e vendosur të parimit të "një Kine".
5. Të dyja palët mirëpresin nënshkrimin e Protokollit për Ngritjen e Nivelit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Kinë-Peru gjatë kësaj vizite dhe janë të gatshme të vazhdojnë të promovojnë lehtësimin e tregtisë dhe investimeve, të forcojnë bashkëpunimin për kontrollin doganor e karantinën dhe të zgjerojnë tregtinë e produkteve me vlerë të lartë të shtuar.
6. Të dy palët ranë dakord të vazhdojnë të forcojnë shkëmbimet e nivelit të lartë, të nxisin shkëmbimet ndërmjet dy qeverive, pushtetit vendor e departamenteve të tyre dhe të rrisin besimin reciprok. Të dyja palët theksuan rëndësinë e mekanizmave dypalësh, si Dialogu Strategjik i Bashkëpunimit Ekonomik Kinë-Peru. Të dy palët zhvilluan dialogun e katërt strategjik të bashkëpunimit ekonomik në tetor 2024, patën një dialog efektiv në fushën e investimeve dhe shkëmbyen përvoja e praktika për çështje të tilla si standardizimi e lehtësimi i investimeve.
7. Të dy palët përsëritën vullnetin për të bashkëpunuar në projekte të mëdha infrastrukturore në përputhje me ligjet dhe rregullat e të dy vendeve, për të nxitur rritjen ekonomike e integrimin rajonal, duke garantuar transparencë dhe integritet.
Të dyja palët shprehin urime për përurimin me sukses të portit të Çankait, duke theksuar besimin që kjo ka rëndësi të madhe dhe është një hap i rëndësishëm për shndërrimin e Perusë në një qendër logjistike, teknologjike e industriale të klasit botëror dhe për forcimin e marrëdhënieve tregtare ndërmjet Amerikës Latine e Azisë.
8. Të dy palët besojnë se takimi i tetë i Komitetit të Përbashkët Ekonomik dhe Tregtar Kinë-Peru, që u organizua në prill 2024, ishte i frytshëm, dhe janë të gatshme të përfshijnë në bashkëpunimin dypalësh projekte në fusha të reja, si ekonomia qarkulluese, bujqësia e qëndrueshme, zinxhirët industrialë e të furnizimit, investimet në ekonominë digjitale dhe zhvillimi i gjelbër.
9. Të dy palët do të forcojnë bashkëpunimin ndërmjet Administratës së Përgjithshme të Doganave të Kinës dhe Administratës Kombëtare të Doganave e Tatimeve të Perusë, për të nxitur zhvillimin e marrëdhënieve tregtare dypalëshe.
10. Të dyja palët mirëpresin krijimin e lidhjeve të aviacionit ndërmjet Kinës dhe Perusë nga kompanitë ajrore kineze nëpërmjet ndarjes së kodit, për të kultivuar tregun për fluturime të drejtpërdrejta ndërmjet të dy vendeve.
11. Të dyja palët bien dakord të forcojnë bashkëpunimin në fushat e ekonomisë digjitale, inovacionit teknologjik, transformimit digjital, shkëmbimit të talenteve shkencore e teknologjike, transferimit të teknologjisë, sigurisë digjitale etj., dhe të promovojnë zhvillimin e teknologjive të tilla si inteligjenca artificiale, robotët, Interneti i Gjërave, analiza e të dhënave, nanoteknologjia, telemjekësia etj.
Të dyja palët theksuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit në forcimin e aftësive të inteligjencës artificiale dhe përmirësimin e aftësisë konkurruese digjitale të të gjithëve, veçanërisht të grupeve të pafavorizuara. Gjatë ciklit jetësor të sistemeve të inteligjencës artificiale, duhet të kushtohet kujdes i posaçëm për respektimin, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, lirive themelore, dinjitetit njerëzor, mbrojtjes së privatësisë e të dhënave personale, si edhe të promovohet diversiteti dhe përfshirja.
12. Të dyja palët u kushtojnë rëndësi bashkëpunimit e shkëmbimeve kulturore dhe ritheksuan nxitjen e dialogut dhe të bashkëpunimit në fushat e arsimit, të kulturës, të turizmit etj.
Të dy palët ritheksuan vullnetin e tyre për të nxitur shkëmbimet dhe vizitat ndërmjet institucioneve kulturore, grupeve artistike dhe artistëve të të dy vendeve, si edhe për të forcuar bashkëpunimin dhe shkëmbimet në mbrojtjen, ruajtjen dhe kthimin e trashëgimisë kulturore. Të dy palët ranë dakord të forcojnë shkëmbimet ndërmjet institucioneve arsimore, mësuesve e pegagogëve, studiuesve dhe nxënësve e studentëve, si edhe për promovimin e shkëmbimeve të bursave dhe bashkëpunimin në fushën e sportit.
13. Kina do të vazhdojë të ofrojë ndihmë ekonomike e teknike për Perunë brenda kapaciteteve të saj, do të punojë me qeverinë peruane për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të Perusë, do të zbatojë projekte bashkëpunimi "të vogla, por të bukura" në fushën e jetesës së njerëzve dhe do të forcojë bashkëpunimin në zhvillimin e burimeve njerëzore.
14. Të dyja palët janë të gatshme të forcojnë bashkëpunimin në sektorin e peshkimit, të promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori, të bashkëpunojnë për të luftuar peshkimin e paligjshëm, të paraportuar e të parregulluar dhe bien dakord për të forcuar komunikimin dhe shkëmbimet ndërmjet agjencive ligjzbatuese të të dyja palëve.
15. Në fushën e qeverisjes globale, të dyja palët ritheksuan përkushtimin e tyre ndaj multilateralizmit, mbështetjen për sistemin ndërkombëtar me Kombet e Bashkuara në thelb dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në të drejtën ndërkombëtare, si edhe forcimin e bashkëpunimit shumëpalësh për t'iu përgjigjur së bashku sfidave globale. Të dyja palët ranë dakord të vazhdojnë të punojnë së bashku për të përballuar ndryshimet klimatike, për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe për të sjellë përfitime për popujt e të dy vendeve dhe të botës.
16.Të dyja palët besojnë se Forumi Kinë-CELAC ka luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e marrëdhënieve Kinë-Amerikë Latine dhe janë të gatshme të vazhdojnë të forcojnë komunikimin e bashkërendimin mbi çështjet e Forumit Kinë-CELAC dhe të promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm të bashkëpunimit Kinë-Amerikë Latine.
17. Të dyja palët do të vazhdojnë të mbështesin një sistem të tregtisë shumëpalëshe të hapur, transparent e jodiskriminues me OBT-në në thelb, të mbrojnë bashkërisht multilateralizmin dhe të kundërshtojnë proteksionizmin. Të dyja palët janë të gatshme të vazhdojnë të promovojnë në mënyrë aktive reformën e OBT-së, të rivendosin funksionimin normal të mekanizmit të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe të rrisin autoritetin dhe efektivitetin e sistemit tregtar shumëpalësh. Të dyja palët theksojnë se forcimi i komunikimit dhe bashkërendimit është thelbësor për ruajtjen e interesave të përbashkët të vendeve në zhvillim, promovimin e prosperitetit të tregtisë globale dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe përfshirës ekonomik.
18. Peruja mirëpret gatishmërinë e Kinës për t'iu bashkuar Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse e Progresive për Partneritetin e Trans-Paqësorit dhe rithekson se kjo marrëveshje ka zgjeruar dhe pasuruar tregtinë në rajonin e Azi-Paqësorit.
19.Peruja vlerëson përpjekjet e Kinës për të nxitur ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë” në bazë të parimeve të paqes, bashkëpunimit, hapjes e përfshirjes dhe mirëpret Nismën e Pekinit për një Rrugë Mëndafshi të Pastër. Të dyja palët ritheksuan se do të kërkojnë raste të re për bashkëpunim në kornizën e nismës “Një brez, një rrugë”, për të realizuar përfitime të përbashkëta dhe për të nxitur zhvilimin e vazhdueshëm të të dy vendeve. Ato theksojnë gatishmërinë për të vijuar krijimin e sistemeve të bashkëpunimit me cilësi të lartë në fusha si ekonomia, tregtia, investimet, infrastruktura, financat, industria, bujqësia, peshkimi, zhvillimi i gjelbër, ekonomia blu etj.
20. Peruja njeh dhe vlerëson përpjekjet e Kinës në kuadrin e Nismës së Zhvillimit Global dhe do të vazhdojë të marrë pjesë në punën e "Grupit të miqve të Nismës së Zhvillimit Global". Pala peruane e çmon Nismën e Qytetërimit Global të propozuar nga Kina. Pala kineze e vlerëson pjesëmarrjen e Perusë në "Grupin e miqve të Nismës së Zhvillimit Global" dhe e fton Perunë të bashkohet me Rrjetin e Qendrës së Promovimit të Zhvillimit Global.
21. Kina thekson rolin udhëheqës të Perusë si mikpritëse e takimeve të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit (APEC) dhe e falënderon Perunë për pritjen e delegacionit kinez që merr pjesë në serinë e takimeve të APEC-ut 2024.
Presidenti Xi Jinping shprehu mirënjohjen e tij të sinqertë për presidentin Dina Boluarte dhe popullin peruan për pritjen e tyre të ngrohtë e miqësore. Të dyja palët ritheksuan se do të vazhdojnë të thellojnë marrëdhëniet e bashkëpunimit miqësor ndërmjet të dy vendeve dhe të ndërtojnë një të ardhme me begati të përbashkët në kuadrin e partneritetit të gjithanshëm strategjik Kinë-Peru.