Këshilli i Sigurimit i OKB-së dënon sulmet ndaj ekipeve paqeruajtëse në Liban
2024-11-15 11:11:39

KS i OKB (Foto Panorama)

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dënon sulmet që janë kryer gjatë javëve të fundit kundër misionit paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara në Liban (FINUL), duke u bërë thirrje të gjitha palëve të garantojnë sigurinë e paqeruajtësve, shkruan “Panorama”.

Përmes një deklarate, shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dënuan sulmet ndaj pozicioneve të FINUL-it, që rezultuan me lëndime të anëtarëve të saj.

Megjithatë Këshilli i Sigurimit nuk foli për emra konkretë të përgjegjësve për këto incidente, por iu referua datave kur kanë ndodhur sulmet.

Këshilli i Sigurimit u bëri thirrje të gjitha palëve të marrin çdo masë për të respektuar sigurinë e personelit dhe objekteve të misionit, duke këmbëngulur se paqeruajtësit nuk duhet të jenë kurrë objektivi i sulmit dhe shprehu mbështetje të plotë për FINUL-in.