Sipas shumë studimeve, fakti që fëmijët gënjejnë është sepse fëmijët nuk ja kanë arritur qëllimit të tyre duke thënë të vërtetën dhe mënyra për ta fituar diçka, është kur përdorin gënjeshtrën. Duhet shumë kujdes në mënyrën se si ja komunikon fëmijës, rastin kur ai ka gënjyer. Duhen zgjedhur fjalët e duhura dhe nuk duhet emërtuar fëmija si ‘gënjeshtar’, pasi kjo fjalë çon fëmijën drejt insistimi të tij për të gënjyer edhe më tepër. Ata nuk duhen etiketuar si të tillë sepse ashtu do të kontribuoni në zhvillimin e së keqes. Informoni me qetësi fëmijën tuaj se ju krejtësisht e dini që ata nuk janë treguar të sinqertë, pra ta pranojnë gënjeshtrën pa e gjykuar atë. Kjo metodë do e nxjerrë në pah gënjeshtrën pa poshtërim dhe dënim të fëmijës. Nëse e kuptoni që fëmija juaj është duke tentuar të trillojë, u duhet thënë me qetësi “më bën të lumtur kur t’i më thua të vërtetën”. Fëmijët dëshirojnë marrëdhënie të sigurtë dhe pozitive me prindërit, dhe nëse kumtimi i të vërtetës e mban atë marrëdhënie, ata nuk do ju gënjejnë më. Gjithashtu fëmijëve u duhet shpjeguar sa e dëmshme mund të jetë një gënjeshtër, ajo e dëmton marrëdhënien tuaj, prandaj bëjeni me dije se ata gjithmonë mund t’ua thonë të vërtetën dhe nuk do të dënohen për këtë gjë.
Nëse fëmija juaj është gënjeshtar i shpeshtë, në këto raste është mirë të kërkohet ndihma profesionale për të. Ndërtimi i një lidhjeje të sigurtë me fëmijën tuaj është e rëndësishme për thënien e të vërtetës. Kjo është një mënyrë e parandalimit të gënjeshtrës, nëse fëmija është i afërt me ju, atëherë nuk do ju gënjejë. Shumë shpesh fëmijët gënjejnë sepse e dinë se e vërteta sjell dënim. Mundohuni t’i inkurajoni ata që të tregojnë të vërtetën, sepse ashtu nuk do të kenë ndëshkim, në mënyrë që fëmija juaj të mos ketë frikë. Punonjësja sociale Loreta Kruja në intervistë për Radio Ejani flet për raportin e fëmijëve dhe adoleshentëve me gënjeshtrën.
CMG: Përse gënjejnë fëmijët dhe adoleshentët?
Loreta Kruja: Më vjen mirë që vjen në fokus marrëdhënia e fëmijëve dhe mënyra së si ata qasen me reagimet e tyre, veçanërisht kur i referohemi faktit që e kanë të vështirë të tregojnë të vërtetën. Fakti që fëmijët dhe adolesherntët gënjejnë është ndoshta për arsye se nuk kanë arritur qëllimin për diçka që ata pëlqejnë dhe kur ata nuk e kanë arritur qëllimin duke treguar të vërtetën, ata mundëhen të gjejnë mënyra dhe strategji të ndryshme, për të bindur të tjerët e për të arritur qëllimin e tyre. Të paktën unë kështu mendoj.
CMG: Cila është mosha kur fëmijët arrijnë kulmin e gënjeshtrave?
Loreta Kruja: Mosha e fëmijëve që gënjen nis që nga mosha 5 deri në 10 vjeç, por kam përshtypjen se është rritur mosha e fëmijëve që gënjejnë dhe mund të shkojë deri në adoleshentë rreth moshës 14 vjeç. Mendoj se pas kësaj moshe, fëmijët duke qenë se janë mes formimit të personalitetit të tyre, duke formuar karakterin dhe personalitetin, kalojnë periudhën e pubertetit, faza që ata kalojnë nga fëmijëria dhe futen në adoleshencë, mendoj se e kanë pak më të vështirë të gënjejnë pas moshën 14 vjeçare.
CMG: Si duhet të reagojë prindi, apo mësuesi në raste të tilla?
Loreta Kruja: Me thënë të drejtën janë situata të vështira. Unë besoj dhe mendoj fuqishëm se prindërit e kanë të thjeshtë të kuptojnë se fëmija e tyre po i gënjen, gjithashtu besoj se dhe mësuesit kanë njohuri për ta kuptuar këtë gjë. Përsa i përket prindërve, ata duhet ta kuptojnë më së miri se, përse fëmija i tyre ka shkuar deri tek gënjeshtra, cila ka qenë mënyra dhe strategjia e sjelljes dhe e prindërimit të tyre që ka dështuar dhe e ka çuar fëmijën e tyre drejt gënjeshtrës? Pra ata duhet të bëjnë një lloj vlerësimi brenda familjes. Përse nuk ka më marrëdhënie besimi midis prindërve dhe fëmijëve? Dhe këtë gjë mendoj se prindi duhet t’a kërkoj nga vetja, si dhe të gjejë metoda dhe metodologji për t’a bindur fëmijën që ai të tregojë të vërtetën. Ta mbaj atë si mik, si shok, ta trajtojë si një person të rritur e jo si një fëmijë. Ndërsa sa i përket mësuesve, ata kanë strategjitë e tyre në mjediset e shkollës, ata duhet të përpiqen të kuptojnë përse nxënësit gënjejnë në shkollë, cilat janë problematikat që ata mund të kenë në familje? Mësuesit mund të bëjnë një bashkëbisedim me shërbimin psiko-social në shkollë për të parë specifikat e secilit fëmijë që gënjen në ambjentet e shkollës. Pra mësuesit kanë strategjitë e tyre, për ta bindur atë fëmijë të mos gënjejë. Dhe mendoj në institucionet e arsimit e kanë të thjeshtë për të ndryshuar sjelljen.
CMG: Cila është zgjidhja në situata të tilla?
Loreta Kruja: Zgjidhjet nuk janë unike për të gjithë sepse dhe fëmijët janë unikë, situatat janë unike, fëmijët janë në nivel zhvillimor, fizik, psikologjik dhe emocional të ndryshme, prandaj ne jemi unik dhe zgjidhja në situata të ndryshme për secilin individ është unike. Unë do të këshilloja që, nëse fëmijët gënjejnë, atëherë prindërit le ta vendosin fëmijën në rolin e prindit, pra, le t’i vendosin ata në një situatë gënjeshtre (flasim për gënjeshtra të bardha) dhe më pas ta pyesin fëmijën, se si është ndjerë kur mamaja dhe babai i tyre i ka gënjyer. Në këtë mënyrë ne përpiqemi t’i ndërgjegjësojmë fëmijët, përpiqemi t’i vendosim në situata të tilla, që ata ta kuptojnë veprimin e tyre, se si ndjehen më të rriturit kur ata i gënjejnë. Por jo vetëm kaq, por përpiqemi të kuptojmë se cila është arsyeja se përse ata po gënjejnë, pra duke dashur të gjejmë zgjidhje, ne mundemi të gjejmë arsyen e këtyre gënjeshtrave.
CMG: Nëse prindi ka provuar metoda të ndryshme, por nuk kanë rezultuar të suksesshme, cili është opinion juaj në këtë rast?
Loreta Kruja: Ndoshta prindërit i kanë përdorur të gjitha metodat, por mendoj se ka gjithmonë një mënyrë që ne mund të zgjidhim problematikat, aq më tepër kur bëhet fjalë për një fëmijëri të hershme, që ata ende nuk kanë formuar karakterin dhe personalitetin e tyre. Ka metoda dhe mënyra që ne prindërit ta kuptojmë kur fëmija jonë gënjen. Unë mendoj dhe besoj fuqishëm se fëmijët janë shumë të pastër, të drejtë, janë të sinqertë, dhe këtë e thonë edhe të gjithë studimet psikologjike, prandaj themi gjithmonë; “Nëse doni të dinin të vërtetën, pyesni një fëmijë”.
Ka padiskutim fëmijë që gënjejnë, por mendoj se prindërit janë element i rëndësishëm për të modifikuar sjelljen e fëmijëve të tyre, aq më tepër kur bëhet fjalë për fëmijë të vegjël. Ata mund të shohin se cila është problematika, përse fëmija i tyre gënjen, çfarë do të arrijë fëmija nëpërjet këtij qëllimi sepse e dim që do ketë pasojë, e ka një shkak dhe në këtë mënyrë, nëse ne arrijmë të gjejmë gjenezën e gënjeshtrës, patjetër që do ta kemi më të thjeshtë për të gjetur zgjidhje. Sigurisht që duhet të kërkojmë ndihmën e një psikologeje, apo një punonjëse sociale, nëse shohim se fëmija për shkak të gënjeshtrës, gënjeshtrat janë bërë madhore dhe mund të kenë shkaktuar problematika në familje. Gjithmonë ka një rrugëzgjidhje, që ne mund të modifikojmë dhe të ndërhyjmë për të përmirësuar sjelljen e fëmijëve tanë.
Unë mendoj dhe besoj fuqishëm se fëmijët gënjejnë, kur ata duan të arrijnë qëllimet e tyre të brendshme, pra ata gënjejnë kur e kanë një qëllim dhe e kanë të vështirë që ta thotë drejtëpërdrejtë problemin apo kërkesën e tyre dhe e arrijnë të gjejnë këto metoda të gënjeshtave të bardha për të arriturit qëllimin e tyre sepse fëmijët janë vërtetë inteligjentë dhe të zgjuar. Unë mendoj se të gjithë si mësuesit, prindërit dhe si psikologët, punonjësit social, të gjithë së bashku nëse ne do të gjejmë pikat e forta të fëmijëve, do t’i fuqizojmë ato, si dhe mund t’i zbehim të gjithë këto pikat e dobëta tek fëmijët tanë. Ne mund t’i rrisim fuqishëm kapacitetet e fëmijëve, mund t’i shpjegojmë dhe arsyetojmë, që gënjeshtra është një gjë jo e mirë, sepse ka pasoja të mëdha. Ne themi në psikologji se: “gënjeshtra është hapi i parë dhe më pas vijnë veprimtari të tjera negative”, prandaj duhet tu japim fëmijëve disa argumenta, duke u treguar atyre se e vërteta do të dalë gjithmonë në fund. Prandaj më mirë të themi të vërtetën e të përballemi me pasojat, sepse e vërteta është ajo që na tregon se ne jemi njerëz të drejtë e të pastër dhe se e vërteta është zgjidhja më e mirë e mundshme.
Çfarë thonë studiuesit për gënjeshtrat e fëmijëve
“Gënjeshtra është një nga faktorët kryesorë që ndikon në zhvillimin e fëmijës. Para se një fëmijë të thotë gënjeshtrën duhet të dijë të vërtetën, të mendojë me zgjuarsi një realitet alternativ, për t‘ia treguar më pas një të rrituri”, thonë studiues nga “McGill University” dhe autore e një sërë studimesh mbi fenomenin në fjalë. Nëse çdo moshë ka gënjeshtrat e saj, arsyet që i shtyjnë fëmijët të tregojnë gënjeshtra ndryshojnë. Në moshën 4-vjeçare një nga arsyet që fëmijët gënjejnë është frika se mos ndëshkohen. Kur ata mbushin 6 vjeç, është dëshira për të hyrë në shoqëri, ndërsa kur arrijnë të 11-18 vjeç është periudha ku çdo fëmijë kërkon të ketë një identitet të vetin, të fshehtë ose të pavarur nga prindërit. Sipas shumë studimeve, në moshën 11-vjeçare, fëmijët janë më rebelë dhe më gënjeshtarë sesa kur ata arrijnë në moshën 18-vjeçare.