ISHP, aktivitet ndërgjegjësues në ditën Botërore të Diabetit
2024-11-15 17:48:57

Foto nga VCG

Nëntori është muaji i ndërgjegjësimit për kontrollin e diabetit dhe komplikacioneve që vijnë nga kjo sëmundje.

Në kuadër të Ditës Botërore të Diabetit, Instituti i Shëndetit Publik organizoi një takim me të moshuarit në qendrën komunitare “Të qëndrojmë së bashku”, me qëllim ndërgjegjësimin ndaj diabetit, parandalimi dhe sugjerimet për një stil të kujdesshëm jetese, nga mënyra e ushqyerjes tek aktiviteti fizik, shkruan “ATSH”.

Për të gjithë pjesëmarrësit u ofrua matja falas e glicemisë nëpërmjet testeve të shpejta, si dhe u dhanë rekomandimet përkatëse.

Aktivitete të ngjashme po zhvillohen paralelisht edhe në rrethe të tjera, duke theksuar rëndësinë e promovimit te shëndetit dhe parandalimin e diabetit në të gjitha komunitetet

Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik, janë rreth 537 milionë njerëz në mbarë botën të diagnostikuar me diabet, ndërkohë që jeta e tyre mund të jetë një luftë e përditshme.

“Për 537 milionë njerëz në mbarë botën me diabet, jeta e përditshme mund të jetë një luftë. Ata duhet t’i qasen çdo pjese të ditës me kujdes të vazhdueshëm dhe përpjekje të shtuara. Kjo gjë mund t’i çojë në stigmatizim, ngacmim dhe ndjenjën e mungesës së shpresës, veçanërisht kur qasja në kujdes është e kufizuar duke e bërë atë çështje jete a vdekjeje. Ndërsa, diabeti ndikon si në mirëqenien fizike ashtu edhe atë mendore, kujdesi shpesh përqendrohet vetëm në menaxhimin e sheqerit në gjak duke i lënë pacientët shumë të mbingarkuar”,- thuhet në një njoftim të ISHP-së.