Samiti i APEC-ut, një event me peshë jo vetëm për rajonin e Azi-Paqësorit
2024-11-15 16:05:55

Më 13-15 nëntor 21 udhëheqës të vendeve dhe ekonomive anëtare të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC)u  mblodhën në Lima, të Perusë në Samitin me temë "Njerëz, Biznes, Prosperitet". Synimi i Samitit është  për të adresuar sfidat dhe mundësitë që do të formësojnë të ardhmen e rajonit Azi-Paqësor. Samiti  ka prezantuar ide  dhe zgjidhje novatore për të adresuar sfidat më urgjente të rajonit, duke nxjerrë në pah tendencat më të fundit dhe teknologjitë e kohës, të tilla si inteligjenca artificiale dhe shëndeti dixhital, që po transformojnë bizneset dhe shoqërinë sot.

Takimi i 31-të vjetor i forumit të Bashkëpunimit Ekonomik të Azisë Paqësorit mbahet në një kohë sfiduese të brishtësisë ekonomike, tensioneve gjeopolitike dhe ndryshimeve klimatike.

Këto sfida të shumëllojshme përforcojnë rëndësinë dhe sfidat e APEC-ut, duke pasur parasysh se 21 ekonomitë e tij anëtare në buzë të Paqësorit kanë një GDP të kombinuar prej mbi 50 trilionë dollarë amerikanë, që përbën më shumë se 60 përqind të PBB-së globale.

Megjithëse qëllimi themelues i APEC ishte promovimi i tregtisë së lirë në të gjithë rajonin Azi-Paqësor, nuk është e mundur, në botën e sotme komplekse, të ndahet ekonomia ndërkombëtare nga ekonomia e brendshme dhe madje edhe shqetësimet sociale.

Eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj komenton këtë event me rëndësi të madhe globale në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG)

 

CMG: Udhëheqësit e 21 vendeve dhe ekonomive anëtare të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) më 13-15 nentor 2024 ne Lima, Peru. Tema e Samitit është "Njerëz, Biznes, Prosperitet".  Cilat janë prioritetet e këtij Samiti në vlerësimin tuaj?

Eduart Gjokutaj:APEC-u si organizatë pavarësisht se sa mund të ketë ndikim direkt në Shqipëri, ndërton bazuar mbi atë që ka nisur në krye të herës liberalizimin e marrëdhënieve të tregtisë, lehtësimin e investimeve dhe ndërlidhjen midis vendeve në mënyrë që të ulen barrierat burokratike dhe kostot me qëllim që t’u ofrohet sa më shumë në kushtet e ndryshimeve të herëpashershme të gjeopolitikës për shtetet anëtare.

Tre kolonat kryesore të samitit janë forcimi i ekonomisë, gjithëpërfshirjes dhe të rritjes në aspektin e përshtatjes me ndryshimet. Sa i përket kolonës së parë, që diskutohet së pari, janë diskutime që vijnë pas qindra takimesh që bëhen nga nivelet më të ulta deri në përgatitjen e samitit të liderëve. Kjo synon zhvillimin e ekonomisë për t’iu përgjigjur sfidave gjeoekonomike, pasi bota është në kushtet kur pas pandemisë Covid 19 janë prishur një pjesë e mirë e ndërlidhjeve dhe është ndryshuar arkitektura. Natyrisht edhe zgjedhjet politike të kohëve të fundit ndikojnë në këto modele që janë gjithëpërfshirëse, sepse nuk u takojnë vetëm shteteve anëtare të APEC-ut, por të gjithë ata që mbulojnë marrëdhëniet tregtare të kësaj organizate. Kjo organizatë mbulon deri në 60 për qind të prodhimit botëror, që e bën shumë të rëndësishëm mbledhjen e këtij samiti.

Nga ana tjetër është dhe përshtatja e teknologjisë në mënyrën se si do të ndikojë në formalizimin e ekonomisë aktuale nëpërmjet qasjes dhe ndikimit mbi jetët e njerëzve dhe të të gjitha ekonomive të vendeve anëtare.

Momenti i tretë është se si do të përshtatet e gjithë ekonomia në kushtet e disa nismave të tjera ndërkombëtare të tranzicionit të gjelbër, të mënyrës se si do të jenë të kompozuara marrëdhëniet tregtare, bazuar mbi këto ndryshime dhe shumë nisma të tjera që padyshim  këto vende që marrin pjesë i kanë në objektivat e tyre. Përveç ekonomive të mëdha botërore në Samit dëgjohet dhe vendi i ekonomive të vogla. Duhet të nënvizojmë atë që u vendos  në Manila në vitin 2020 që u quajt “Putrajaja vision”  deri në vitin 2040, por dhe takimi një vit më pas në Zelandën e Re lidhur  me planin e veprimit.

Nisur nga këto 3 kolona nga Samiti ka pritshmëri të mëdha.

foto: Xinhua

foto: Xinhua

CMG: Për më shumë se 30 vjet ky samit i APEC-ut ka qenë një ngjarje kryesore e rajonit të Azi Paqësorit por dhe më gjerë dhe në samit marrin pjesë përfaqësues të qeverive, të institucioneve të kërkimit. Samiti fokusohet në ngjarje novatore sepse vetë zhvillimi ka sjellë risi në ekonomitë e vendeve të ndyshme.   Janë 21 ekonomi me  një GDP të kombinuar prej mbi 50 trilionë dollarë amerikanë, që përbën më shumë se 60 përqind të PBB-së globale. Në një kohë sfiduese  globale të brishtësisë ekonomike, tensioneve gjeopolitike dhe ndryshimeve klimatike sa mund të ndikojnë vendimet e Samitit APEC në këtë aktualitet?

Eduart Gjokutaj: Besoj se ky takim është për të reflektuar këtë lloj ndryshimi, por në kushtet aktuale kur bota është lehtësuar deri diku nga presionet inflacioniste dhe rritja e kostos së pandalshme të jetesës për secilin vend duke i dhënë një tjetër qasje tashmë edhe politikave fiskale dhe monetare, të paktën në terma afatshkurtër, ku nuk parashikohet të ketë ndryshime si ato që ndodhën pas vitit 2020.

Lehtësimi i kostove të jetesës së qytetarëve të këtyre vendeve janë qasjet primare pasi është kuptuar që përveç asaj që është bërë deri më sot me lëvizjen e lirë të kapitalit, të mallrave dhe të njerëzve kemi një rritje të mirëqenies në nivel global, një shpërndarje jo të drejtë, që është në fokus të samitit. Gjithashtu pritet rindërtimi i marrëdhënieve bazuar në ndryshimet e fundit politike që janë të tilla që ndikojnë. Duhet të kemi parasysh këtu lëvizjet që bën Kina, e cila është shumë e hapur për bashkëpunim dhe këtë e tregojnë vizitat e presidentit kinez në Francë, në BE, por dhe në vendet e tjera të Azisë

Të gjitha këto, pavarësisht se bota nuk është më siç ka qenë në fillimet e krijimit të APEC-ut, synohet të hapet një horizont i ri me qëllim që ky realitet i ri të përshtatet sa më mirë me interesat e njerëzve.

CMG: APEC është bërë një hapësirë për konkurrencë strategjike midis SHBA-së dhe Kinës, dy ekonomitë më të mëdha në botë. Me ardhjen në krye të Shtëpisë së Bardhë të presidentit Trump, a pritet një ndikim në këto  marrëdhënie?

Eduart Gjokutaj: Nëse i referohem zgjedhjes së presidentit Tramp, i cili në mandatin e parë kishte moton “Amerika e para” ajo kishte një qasje që të shpërfillte çeshtjet globale dhe të merrej me vendin, pavarësisht se kjo është cilësuar si populiste, nuk ia arriti qëllimit. Natyrisht marrëdhëniet me vendet kryesore të APEC-ut ishin të tilla që arritën në  ashpërsim dhe jo në lehtësim të tarifave që u vendosën  për mallrat kineze. Ndërsa në deklarimet e fushatës, pasi presidenca Tramp fillon në vitin 2025 është thënë që do ta bëjnë Amerikën të madhe përsëri.

Sa i përket objektit të samitit të APEC_ut, kjo ka të bërë me vendosjen e një tarife më të lartë për të gjitha vendet që rrezikojnë vendet e punës dhe ekonominë amerikane, por nuk janë të specifikuara nëse do të jetë tarifa për Kinën apo për vende të tjera. Vendosja e tarifave tashmë nuk është vetëm për një vend të caktuar, siç ishte Kina në presidencën e parë të Trampit, por nga ana tjetër është caktuar të vendosen tarifa në rritje në varësi të secilit vend, duke u aplikuar direkt dhe nuk përkon me shtyllat kryesore të APEC-ut. Vendosja e një presidenti nuk përkon domosdoshmërisht me ato çfarë janë deklaruar në fushatë zgjedhore, por Kina ka mbajtur një qëndrim të prerë diplomatik ndaj kësaj zgjedhjeje.

CMG: Sigurisht, në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Kinës pas zgjedhjes u cilësua se zgjedhjet janë një çeshtje e brendshme e këtij vendi. Ndërkohë presidenti Tramp sipas analistëve, duke qenë një biznesmen ndaj mbeten për t’u parë vendimet e tij

Eduart Gjokutaj: Nga ana tjetër duke iu referuar marrëdhënieve të Kinës me Europën shohim se burokratët mund të ndërmarrin vendimet e tyre, por janë njerëzit e biznesit të cilët ndjekin leverdinë e tyre ekonomike dhe shtetet duhet të përqasen me atë që kërkojnë qytetarët, konsumatorët e tyre.