Kontrolli Mjekësor Bazë, ministrja Koçiu: Mbi 3.3 milionë qytetarë vizita falas brenda një dekade
2024-11-15 17:47:40

Ministrja Kociu (Foto Atsh)

Ministrja Kociu (Foto Atsh)

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, deklaroi se që nga nisja e Kontrollit Mjekësor Bazë në vitin 2015 deri në tetor 2024 janë kryer 3.343.629 vizita falas, duke fuqizuar kujdesin shëndetësor universal.

Ndërsa Kontrollin Bazë Mjekësor në Poliklinikën nr.9 në Tiranë, ministrja Koçiu tha se programi kombëtar i kontrollit, falas për të gjitha grupmoshat nga 35-70 vjeç, pranë të gjitha Qendrave Shëndetësore në vend, u ka ardhur në ndihmë qytetarëve për zbulimin dhe diagnostikimin në kohë të sëmundjeve, shkruan “ATSH”.

“Të shkojmë te mjeku i familjes të bëjmë një intervistë të shkurtër dhe të përfitojmë nga analiza shëndetësore të cilat na kapin në kohë çdo lloj problematike. Analiza janë falas për grupmoshat 35-70 vjeç. Kështu që le të përfitojmë nga kjo mundësi të marrim pak kohë për veten dhe të bëjmë një ekzaminim për të na kujtuar se çfarë duhet të kemi kujdes dhe si do të duhet të jetojmë shëndetshëm. Çdo ditë dhe muaj të vitit të kujdesemi për veten”,- apeloi ministrja Koçiu.

Nisja e programit të Kontrollit Mjekësor Bazë ka përmirësuar cilësinë e shërbimeve në kujdesin parësor dhe ka mbajtur nën kontroll prirjet në rritje të sëmundjeve jo të transmetueshme.