Dhuka (Foto Atsh)
Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja e Shqipërisë me Bashkimin Europian, Majlinda Dhuka, deklaroi se vendi ndodhet në një moment historik në rrugën e anëtarësimit në familjen europiane.
Dhuka theksoi se Shqipëria sapo ka çelur negociatat teknike për anëtarësim në një moment qëndrueshmërie ekonomike dhe stabiliteti të sektorit financiar, në një moment të merituar për t’u ulur në tryezën e bisedimeve në BE, citon “ATSH”.
“Shqipëria ka aspirata të mëdha dhe është e përgatitur për të avancuar me çeljen e negociatave në fusha të tjera përgjatë vitit 2025. Shumica e tyre janë të lidhura me ekonominë, rritjen dhe qëndrueshmërinë”,- tha Dhuka.
Sipas saj, ndërsa Shqipëria i afrohet BE-së, Unioni po e konsolidon konkurrueshmërinë e tij dhe vendi duhet të përshpejtojë për t’iu afruar të gjitha mundësive të reja që sjell reformimi europian.
Kryenegociatorja nënvizoi se Shqipëria është vendi i parë në rajon që ka paraqitur kërkesën pranë institucioneve europiane për t’u bërë pjesë e zonës së pagesave euro.