Foto nga VCG
Aleanca e parë globale kundër Urisë dhe Varfërisë do të nisë zyrtarisht në Samitin e ardhshëm të 19-të të G20-s në Rio de Zhaneiro, duke shënuar një hap të mëtejshëm drejt qëllimit për të eliminuar urinë ekstreme në mbarë botën deri në afatin e Kombeve të Bashkuara në vitin 2030.
Nisma e sapokrijuar u propozua paraprakisht nga presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva në Takimin Ministror të Task Forcës G20 në korrik 2024. Ideja për këtë iniciativë u propozua në samitin e mëparshëm të G20-s nga Lula, i cili deklaroi se zhdukja e urisë dhe varfërisë është një nga tre detyrat kryesore të presidencës së G20-s të Brazilit.
Për shkak të faktorëve që variojnë nga fatkeqësitë natyrore deri te konfliktet rajonale, çështja e varfërisë është bërë gjithnjë e më e dukshme vitet e fundit.
Sipas raportit vjetor mbi Gjendjen e Sigurisë Ushqimore dhe të Ushqyerjes në Botë, të publikuar në korrik nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e OKB-së, gati 757 milionë njerëz mund të jenë përballur me urinë në vitin 2023, që do të thotë 1 në çdo 11 njerëz në botë.
Foto nga VCG
Raporti thekson një prirje të qartë të rritjes së kequshqyerjes në Afrikë, ndërkohë që po bëhet përparim në Amerikën Latine dhe Karaibe.
Raporti tregoi gjithashtu se prevalenca e kequshqyerjes në Brazil ra në 3.9 për qind në vitin 2023, duke shënuar vitin e parë të administratës së re të Lulës.
Në takimin ministror, Lula deklaroi se asgjë në shekullin e 21-të nuk është aq absurde dhe e papranueshme sa vazhdimësia e urisë dhe varfërisë, duke shtuar se adresimi i kësaj çështjeje përmes aleancës globale është një nga prioritet për presidencën braziliane të G20-s.
Mes krizës së vazhdueshme të urisë në mbarë botën, sidomos në vendet në zhvillim, samiti i ardhshëm i G20-s, ku çrrënjosja e urisë dhe varfërisë është një nga prioritetet kryesore, pritet të ketë një rëndësi të madhe praktike.
Xu Feibiao, drejtor i Qendrës për Studimet BRICS dhe G20-s në Institutin Kinez të Marrëdhënieve Bashkëkohore Ndërkombëtare, deklaroi se samiti i G20-s mund të ofrojë zgjidhje globale, duke vënë në dukje se Brazili dhe Kina kanë bërë arritje të rëndësishme në luftën kundër urisë dhe varfërisë.
Në vitin 2023, Lula nisi programin “Brazili pa urinë”. Me 20 veprime dhe projekte të ndryshme, programi, i cili ka një investim total prej më shumë se 70 miliardë dollarë, uli numrin e njerëzve në Brazil që vuajnë nga pasiguria e rëndë ushqimore nga 33 milionë në 8.7 milionë në vetëm një vit, deklaroi Valeria Burity, sekretare e Ministrisë së Zhvillimit dhe Ndihmës Sociale, Familjes dhe Luftës kundër Urisë të Brazilit, në një intervistë për një portal kinez lajmesh.
Kina jo vetëm që ka arritur qëllimin e vet për të eliminuar varfërinë ekstreme deri në vitin 2020, duke përmirësuar standardet e jetesës së qindra miliona njerëzve gjatë dekadave të zhvillimit, por ajo ka kontribuar gjithashtu në ndihmën e vendeve të tjera, veçanërisht atyre në zhvillim, për të luftuar varfërinë. Kjo është bërë përmes iniciativave si “Një brez, një rrugë” dhe Nisma për Zhvillim Global, të cilat ofrojnë teknologji të avancuar bujqësore dhe projekte bashkëpunimi, që synojnë zhdukjen e varfërisë dhe përmirësimin e mirëqenies lokale.
Foto nga VCG
Për shembull, nën nismën “Një brez, një rrugë”, Kina ka mbështetur projekte të shumta infrastrukturore, duke përfshirë hekurudhën hungarezo-serbe, hekurudhën Kinë-Laos dhe projektin e Portit Chancay në Peru. Këto projekte jo vetëm që përmirësojnë transportin lokal, por gjithashtu krijojnë vende pune dhe rrisin të ardhurat e banorëve.
“Modeli dhe përvoja e zhdukjes së varfërisë së Kinës mund të ofrojnë mbështetje të fortë për programet përkatëse të G20-s”,- tha Xu.
Fernando Brancoli, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare nga Universiteti Federal i Rio de Zhaneiros, deklaroi për Grupin Mediatik të Kinës se nga perspektiva e zbutjes së varfërisë, samiti i G20-s në Rio ofron një platformë ideale për bashkëpunimin e Brazilit dhe Kinës.
Të dy vendet vazhdojnë të udhëheqin përpjekjet globale për të reduktuar varfërinë, duke shfaqur përvojat e tyre përkatëse të zbutjes së varfërisë, të përshtatura për kushtet e tyre kombëtare dhe të provuara efektive.
Përveç ofrimit të zgjidhjeve globale të bazuara në përvojat nga Kina dhe Brazili, Xu vuri në dukje se zhvillimi i qëndrueshëm ka qenë një axhendë kyçe për G20-s, ku eliminimi i urisë dhe varfërisë janë pjesë integrale e kësaj axhende. Sipas Xu, anëtarët e G20-s, të cilët përfaqësojnë ekonomitë më të mëdha të zhvilluara dhe në zhvillim në botë, përbëjnë më shumë se 80 për qind të PBB-së globale.
“Pasi anëtarët e G20-s të arrijnë konsensus dhe të paraqesin zgjidhje, G20-a mund të jetë një nxitës kyç për konsensusin global dhe veprimin kundër urisë dhe varfërisë”,- tha ai.
Duke e cilësuar Aleancën globale kundër Urisë dhe Varfërisë si një hap të parë kyç në veprimin global, Xu deklaroi se samiti i ardhshëm i G20-s pritet të startojë iniciativat, planet dhe udhërrëfyesit për të luftuar urinë dhe varfërinë, duke i integruar ato me axhendën më të gjerë për shëndetin, arsimin, infrastrukturën, përfshirjen financiare dhe çështje të tjera të rëndësishme, për të krijuar zgjidhje më të realizueshme dhe gjithëpërfshirëse. Brancoli theksoi se aleanca do të bashkojë fondet globale, burimet dhe përvojën e reduktimit të varfërisë për të mbështetur së bashku kauzën globale të reduktimit të varfërisë.
Duke pranuar se do të ketë disa dallime midis vendeve në trajtimin e kësaj çështjeje, Xu vuri në dukje se ndërsa është e pamundur të zgjidhet brenda natës, G20-a e ka prioritizuar atë si një çështje kryesore, duke sinjalizuar se ka dritë në fund të tunelit.