Shqipëria, destinacion përherë e më i njohur ndërkombëtarisht
2024-11-15 10:19:41


Turistë në Tiranë (Foto Gazeta Shqiptare) 

Sipas Institutit të Statistikave, gjatë periudhës janar-tetor 2024, Shqipëria është vizituar nga 10,4 milionë vizitorë të huaj. Ata ishin 16 përqind më shumë se periudha janar-tetor e vitit të shkuar. Shqiperia po dallohet në të gjitha raportimet e mediave ndërkombëtare, si destinacion turistik tërheqës dhe me plot thesare për të treguar. 

Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, gjatë muajit tetor vendin e vizituan 761 mijë vizitorë të huaj, ose 9,3 përqind më shumë se tetori i vitit 2023.

Pak ditë më parë, Organizata Botërore e Turizmit, në treguesin e saj “Barometri Global”, e renditi Shqipërinë të parën në Europë dhe të dytën në botë, sa i takon normës së rritjes së vizitorëve ndërkombëtarë.

Barometri e klasifikoi vendin tonë të parin, përsa i përket rritjes së të ardhurave nga sektori i turizmit, krahasuar me periudhën e para-pandemisë nga Covid 19.

Në fund të muajit tetor 2024, revista e mirënjohur britanike e udhëtimeve “Wanderlust” i akordoi Shqipërisë medaljen e argjendit, si vendi më i dëshirueshëm për t’u vizituar nga turistët, përmes një votimi nga lexuesit britanikë.

Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro (Foto Ministria e Turizmit)

Shqipëria ka bërë të mundur shtrirjen e sezonit turistik në territor dhe në kohë, praktikisht gjatë gjithë vitit dhe në të gjithë vendin, edhe në fshatrat më të largëta, përmes ofertës së turizmit të natyrës dhe atij të aventurës,  duke e diversifikuar ofertën turistike.

Për muajin tetor 2024, parqet më të vizituara kanë qenë Parku Kombëtar Alpet e Shqipërisë me 78 mijë vizitorë, Parku Kombëtar Divjakë- Karavasta me 29 mijë vizitorë dhe Parku Kombëtar i Butrintit me 17 mijë vizitorë.

Nga muaji janar deri në tetor të vitit 2024, të paktën 4.9 milionë vizitorë  janë regjistruar në zonat e mbrojtura, ose 20 përqind më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Vetëm gjatë muajit tetor 2024, u rregjistruan 440 mijë vizitorë në zonat e mbrojtura.

Turizmi natyror dhe zonat e mbrojtura ishin në fokus të projektbuxhetit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për vitin 2025, me dy projekte kryesore, si ngritja e infrastrukturës në Eko-Park Ulza dhe Ndërtimi i Qendrës Multifunksionale të Parkut Kombëtar të Vjosës.

Më 15 tetor 2024, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit hodhi për diskutim publik Strategjinë afatgjatë të Turizmit 2025-2030. Përmes zbatimit të kësaj strategjie, në këto gjashtë vite Qeveria parashikon të rrisë netëqëndrimet e çdo turisti në hotele me 1.4 herë, të shtojë me 4 herë të ardhurat në Buxhetin e Shtetit nga formalizimi i sektorit, si dhe ta rrisë me 1.7 here numrin e të rinjve që do të vazhdojnë studimet në një prej programeve të dedikuara te turizmit, në të gjithë sistemin tonë arsimor, të mesëm profesional dhe të lartë. Besnik Vathi, Anëtar i Bordit Drejtues të Shoqatës së Operatorëve Turistikë të Shqipërisë në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) analizon këtë sukses të Shqipërisë

 

Besnik Vathi në intervistë për CMG

CMG: Sipas INSTAT, për periudhën janar-shtator 2024 kishim 9.7 milionë vizitorë të huaj, duke arritur pothuajse të gjithë bilancin e ardhjeve nga vizitorë të huaj të vitit që shkoi, në vetëm 9 muajt e parë. Komenti juaj.

Besnik Vathi: Unë besoj që këtë vit ka pasur dhe do të ketë më shumë turistë sesa viti i kaluar.

Mirëpo, sikurse e kemi shprehur edhe herë të tjera, nuk kemi kaluar në raportimin e numrit të turistëve që hyjnë në Shqipëri, por kemi mbetur në numrin e ardhjeve në kufi apo vizitorëve të huaj, të cilët normalisht, me faktorët që kanë ndikuar në këtë shtim, nuk janë shumë domethënës për këtë rritje të pësuar.

Ka një faktor që këtë vit ka qenë ndryshe nga vitet e tjera. Kjo ka të bëjë me shtetasit e Kosovës, të cilët kanë lëvizur drejt vendeve të Europës pa viza. Ata kanë përdorur më shumë Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës për daljet e tyre jashtë vendit, duke hyre nga kufiri i  Morinës dhe duke dalë nga Rinasi, apo e kundërta.

Duke i numëruar si ardhje në kufi, në mënyrë të pavullnetshme, ne rrisim numrin e vizitorëve të huaj, vetëm për faktin se po lëvizin më shumë shtetasit e Kosovës, për të kaluar për pushime në shtetet e tjera të Evropës.

Nga ana tjetër, vetë këta shtetas mund të kenë qenë më të paktë në numër si turistë të huaj në Shqipëri, por në total, si numër të ardhurish në kufi, janë më të rritur. Nëse kanë ardhur si turistë apo janë në tranzit për në vende të tjera, kjo nuk mund të vërtetohet.

Kjo nuk mund të shikohet, përsa kohë nuk jemi në gjendje të çertifikojmë numrin e turistëve të huaj.

Rekord për Shqipërinë turistike (Foto ATSH)

Për ta zgjidhur këtë, mendoj se disa shifra mund të merren edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, pasi i ka shifrat. Pra, sa janë shtetasit e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, apo Malit të Zi, që fluturojnë, duke përdorur Rinasin. Nëse i kanë këto, atëhere mund të bëhen korrigjimet, për një raportim sa më të saktë.

CMG: A mund të themi që oferta turistike e vendit ka ndryshuar për mirë në dy vitet e fundit, po ashtu edhe filozofia e udhëtimeve në Shqipëri, ku pushuesit e huaj nuk qëndrojnë vetëm në bregdet dhe turistët nuk e vizitojnë Shqipërinë vetëm në muajt e verës për plazhet, por duan të eksplorojnë ofertën turistike gjithëpërfshirëse, si agroturizmet, sitet kulturore, shtigjet, malin, festat dhe panairet lokale?

Besnik Vathi: Oferta turistika e Shqipërisë ka ndryshuar mjaft vitet e fundit. Ka ndryshuar në mënyrë spontane, e pandikuar, e paprovokuar dhe e panxitur drejt atyre produkteve që mund të sillnin më shumë të ardhura.

E them këtë, pasi i është lënë faktorëve të jashtëm që ndikojnë. Dhe faktori kryesor është rritja e madhe e fluturimeve ajrore nga kompanitë me kosto të ulët “low cost”.

Kjo ka bërë që Shqipëria të futet lirshëm në tregun e huaj ndërkombëtar dhe natyrshëm të tërheqë interesin, kuriozitetin e shtetasve  të vendeve  apo qyteteve ku fluturohet me këto kompani.

Këta persona kuriozë vijnë në Shqipëri, ndërkohë që ne nuk kemi arritur të promovojmë një destinacion apo një produkt nga këto vende. Kanë menduar më shumë mediat ndërkombëtare dhe këta turistë kanë shfrytëzuar më shumë mundësitë e afruara, përmes udhëtimit të lirë me avion, duke konsumuar atë produkt që e shuan kuriozitetin e tyre.

CMG: Qeveria kërkon të disiplinojë turizmin bregdetar, duke kufizuar numrin e çadrave në bregdet, në raport me dhomat e strukturave hoteliere në bregdet, duke mos u dhënë restoranteve përgjatë bregut mundësinë të kenë çadrat e tyre. Po ashtu, ajo kërkon që për çdo kilometër plazh, 300 metra të jenë plazh publik. Veprime të drejta dhe të realizueshme, sipas jush?

Besnik Vathi: Dëshira e mirë është për t’u vlerësuar. Pra, dëshira e qeverisë për të rregulluar diçka, që dikur ishte bazuar në kërkesat që kushdo të marrë atë që dëshiron.

Ndërkohë që tani është parimi që do t’u jepet atyre që kanë nevojë për të plotësuar produktin e tyre turistik. Pra, hoteleve, kur ato janë në bregdet, u duhet të ofrojnë shërbimin e plazhit. Qeveria kështu krijon mundësi që ato të lënë edhe hapësira për shërbim publik.

Problematika që unë akoma nuk e kam dëgjuar të zgjidhet është ai raport që ekziston. Ne kemi plazhe gjatë gjithë vijës bregdetare, por hotelet nuk i kemi gjatë gjithë kësaj vije. Prandaj, në disa zona, në një vijë bregdetare, ne kemi mbivendosje hotelesh me 1,2 apo 3 linja.

Hapësira në plazhe duhet kështu të pjestohet në parimin se sa do marrë linja e parë, sa ajo e dytë e hoteleve, e me rradhë. Problemi qëndron: duke patur mbipopullim në disa hotele, a do të mbetet hapësirë për plazhe publike?

Ndërkohë, ne kemi disa plazhe që nuk kanë asnjë shtrat turistik. Si do të veprohet me to? Kjo hapësirë do të jetë e tëra plazh publik?  Plazhet publike japin shërbime që qytetarët i kanë të nevojshme,  madje edhe shërbime të domosdoshme. Mirëpo dihet se aty ku ka plazhe private, edhe pastërtia është më e lartë se në plazhet publike.

Qeveria duhet të vendosë nëse hapësira e plazheve ku nuk ka shtretër turistikë, do të mbetet e tëra plazh publik. Pastaj lind sfida se sa do të jenë në gjendje që bashkitë të ofrojnë shërbime pa pagesë për këto plazhe. Pra, të japin shërbime të plota, të pastra dhe të ofrojnë cilësi shërbimi të plotë për qytetarët.

Pamje nga Ksamili (Foto JavaNews)

CMG: Sipas INSTAT, në një analizë për muajin korrik 2024, krahasuar me korrikun 2023, numri i vizitorëve të huaj të cilët janë akomoduar në rajonin qendër të Shqipërisë ka shënuar rritje me 74%. Në zonat bregdetare ky tregues është rritur me 57%, ndërsa numri i vizitorëve të huaj në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me po me 57%. Çfarë tregon kjo?

Besnik Vathi: E vërteta është se, nëse unë kam një perceptim se numri i  turistëve është rritur, atëhere natyrshëm që duhet të ketë rritje.

Mirëpo, përsa i përket të dhënave që përmendët, unë e gjykoj si përpjekje të INSTAT  për t’u futur në lojën, kishte apo jo turistë në korrik 2024? Në mungesën e shifrave të turistëve të huaj, çdo gjetje anësore, por duke i numëruar ata, së bashku me vizitorët tranzit tek ne, është më shqetësuese, po të jenë në shifra absolute sesa në përqindje.

 

CMG: Një prognozë tuajën ju lutem, për turizmin e fundivitit, pra të këtyre dy muajve të fundit, si dhe parashikimet për vitin e ardhshëm.

Besnik Vathi: Unë i qëndroj besnik progresit që ka marrë dhe po fiton turizmi shqiptar.

Edhe vitin që vjen, do të ketë rritje, por nuk duhet të raportojmë ardhjet në kufi, por të raportojmë turistët e huaj të ardhur në Shqipëri.  Në fund të këtij viti do të ketë lëvizje, pasi kurioziteti për Shqipërinë nuk do të shuhet asnjëherë.

Mendoj se do të ketë rritje në progresion gjeometrik, pasi sa më shumë shikohet, aq më shumë shpërndahet reklama gojë më gojë. Kjo, ngaqë ata që e kanë vizituar vendin tonë, përveç problemeve, përsëri e rrisin interesin për të vizituar Shqipërinë.

Intervistoi Fatos Çoçoli