Xi Jinping-u zhvillon bisedime me presidenten e Perusë
2024-11-15 18:09:05

Foto nga Xinhua

Të enjten pasdite sipas kohës vendore, presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi bisedime me homologen e vet peruane Dina Boluarte në Pallatin Presidencial në kryeqytetin e Perusë, Lima.

Në fillim të verës në Lima, dielli shkëlqen dhe lulet kanë çelur.

I shoqëruar nga Regjimenti Kalorsiak Ceremonial, Xi mbërriti në Pallatin Presidencial me makinë dhe u prit ngrohtësisht nga Boluarte.

Presidentja peruane mbajti një ceremoni madhështore mirëseardhjeje për homologun e vet kinez në sheshin përpara Pallatit Presidencial.

Pas ceremonisë së mirëseardhjes, të dy krerët e shtetit zhvilluan bisedime.

Foto nga Xinhua

Xi theksoi se kjo është vizita e tij e tretë në Peru dhe gjithashtu takimi i tretë me homologen peruane brenda një viti që nga takimi i tyre i parë në San-Francisko dhe vizita e saj në Kinë. "Sapo vura këmbë në këtë tokë të bukur të Perusë, ndjeva fort miqësinë mes popullit peruan e popullit kinez dhe zemra ime u ndje shumë e ngrohtë," u shpreh Xi.

Ai vuri në dukje më tej që Kina dhe Peruja kanë qytetërime të lashta dhe kjo u ka sjellë të dyja vendeve mençuri e mendjegjerësi, duke i lejuar të shohin qartë drejtimin e historisë, të ndjekin prirjen e zhvillimit të kohës dhe t'u përmbahen gjithmonë parimeve të trajtimit të barabartë, respektit e besimit të ndërsjellë dhe mësimit nga njëri-tjetri. Kina e Peruja janë bërë model i bashkëpunimit ndërmjet vendeve me madhësi, sisteme e kultura të ndryshme.

Që nga vendosja e lidhjeve diplomatike 53 vjet më parë, marrëdhëniet dypalëshe kino-peruane kanë ruajtur zhvillimin e shëndetshëm. "Sidomos që nga vizita ime e parë shtetërore në Peru në vitin 2016, me përpjekjet e përbashkëta të të dyja palëve, vëllimi i tregtisë ndërmjet Kinës dhe Perusë është rritur me 1.6 herë, vëllimi i investimeve të ndërmarrjeve kineze në Peru është dyfishuar dhe marrëveshja e tregtisë së lirë Kinë-Peru është përmirësuar. Të gjitha këto kanë sjellë përfitime konkrete për popujt e të dy vendeve," u shpreh Xi. Ai shtoi që të dy vendet duhet të përmbledhin përvojën e suksesshme të bashkëpunimit dypalësh, të përmirësojnë më tej dizajnin e nivelit të lartë, të forcojnë tregtinë e investimet, të promovojnë zhvillimin e industrive tradicionale e të industrive të reja dhe integrimin e zinxhirëve industrialë e të furnizimit dhe të nxitin ngritjen e cilësisë e të nivelit të bashkëpunimit praktik Kinë-Peru dhe Kinë-Amerika Latine.

Kina është e gatshme të vazhdojë të zgjerojë importet e produkteve bujqësore karakteristike peruane me cilësi të lartë dhe të inkurajojë kompanitë e fuqishme kineze të investojnë e të fillojnë biznes në Peru dhe të japin kontributin e duhur në zhvillimin vendor. Të dyja palët duhet të bashkërendojnë promovimin e bashkëpunimit në fushat tradicionale si energjetika e sektori minerar, infrastruktura, transporti e komunikacioni, dhe të zgjerojnë bashkëpunimin në fushat e reja, si ekonomia digjitale, inteligjenca artificiale, transporti i gjelbër, automjetet elektrike dhe industria fotovoltaike. Kina është e gatshme të inkurajojë ndërmarrjet kineze të marrin pjesë në ndërtimin e infrastrukturës së Perusë dhe të promovojë ndërlidhjen e doganave inteligjente. Kompanitë kineze kapërcyen vështirësitë dhe përfunduan fazën e parë të projektit të portit të Çankait siç ishte planifikuar, duke demonstruar plotësisht vendosmërinë e Kinës për bashkëpunim strategjik afatgjatë me Perunë.

Kina është e gatshme të punojë me Perunë për të shfrytëzuar plotësisht epërsitë e vendndodhjes së portit të Çankait, të ndërtojë një korridor të ri tokësor-detar midis Kinës e Amerikës Latine duke filluar nga ky port dhe të eksplorojë ndërtimin e një modeli tredimensional, të larmishëm e efikas të ndërlidhjes nga bregdeti në brendësi dhe nga Peruja në vendet e tjera të Amerikës Latine, duke nxitur zhvillimin dhe integrimin e përgjithshëm të Amerikës Latine dhe Karaibeve. Pala kineze mbështet vendosjen e një marrëdhënieje binjakëzimi midis qyteteve  Suzhou e Çankai dhe është e gatshme të shkëmbejë përvojën në ndërtimin e parqeve industriale me Perunë, të zgjerojë bashkëpunimin në tregtinë e shërbimeve ndërkufitare, tregtinë elektronike e fusha të tjera, të shfrytëzojë plotësisht efektet e grupimit e të lidhjes dhe të forcojë besimin në bashkëpunimin afatgjatë miqësor dhe me dobi të ndërsjellë ndërmjet Kinës e Perusë nëpërmjet arritjes së rezultateve më konkrete. Pala kineze është gjithashtu e gatshme të ngrejë punishte "Luban" dhe qendra kualifikimi profesional aty pranë bazuar në nevojat e zhvillimit të palës peruane, të kryejë bashkëpunim në arsimin profesional dhe të ofrojë përgatitjen e talenteve vendore dhe mbështetje intelektuale e teknologjike për Perunë.

Xi Jinping-u theksoi në vijim se të dy palët duhet të forcojnë shkëmbimet e përvojës në qeverisjen kombëtare, të rrisin besimin e ndërsjellë strategjik, të mbështesin me vendosmëri interesat thelbësore dhe shqetësimet kryesore të njëra-tjetrës dhe të forcojnë bashkëpunimin në fusha të tilla si lufta kundër korrupsionit dhe peshkimit të paligjshëm. "Ne duhet të mbajmë mbi supe përgjegjësinë e epokës për mësimin e ndërsjellë midis qytetërimeve, të vazhdojmë forcimin e dialogut ndërkombëtar midis qytetërimeve dhe të eksplorojmë ndërtimin e një rrjeti global dialogu dhe bashkëpunimi midis qytetërimeve. Është e nevojshme gjithashtu të forcojmë ndërthurjen e politikave kulturore dhe të thellojmë shkëmbimet dhe bashkëpunimin në fushën e kulturës dhe artit, arsimit dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore," u shpreh Xi. Ai tha se Kina është e gatshme të rrisë numrin e bursave për Perunë dhe shprehu shpresën që të rinjtë e të dy vendeve të njihen me njëri-tjetrin dhe të përcjellin brez pas brezi miqësinë mes Kinës dhe Perusë.

Xi vuri në dukje më tej se ekonomitë e vendeve të Azi-Paqësorit janë thellësisht të integruara, duke shtuar që forcimi i unitetit e i bashkëpunimit dhe ruajtja e qëndrueshmërisë dhe prosperitetit rajonal janë në përputhje me interesat e përbashkët të familjes së Azi-Paqësorit dhe Jugut Global. Kina e Peruja mbrojnë që të dyja multilateralizmin dhe kundërshtojnë proteksionizmin. Kina mbështet plotësisht punën e Perusë si organizatore dhe është e gatshme të punojë me të gjitha palët për të promovuar suksesin e Takimit të Udhëheqësve Ekonomikë të APEC-ut dhe për të promovuar ndërtimin e një komuniteti të Azi-Paqësorit me një të ardhme të përbashkët. Pala kineze është gjithashtu e gatshme të vazhdojë të forcojë komunikimin dhe koordinimin me palën peruane në kuadrin e Forumit Kinë-CELAC dhe të japë kontribute pozitive për promovimin e zhvillimit të marrëdhënieve Kinë-Amerikë Latine.

Presidentja peruane Dina Boluarte nga ana e saj mirëpriti ngrohtësisht vizitën e presidentit kinez Xi Jinping dhe tha se Peruja e Kina janë dy qytetërime të lashta. Një numër i madh kinezësh kanë dhënë një kontribut pozitiv në zhvillimin kombëtar të Perusë përgjatë historisë. Kina ka qenë prej kohësh partnerja më e rëndësishme tregtare e Perusë. Veçanërisht që kur të dy palët filluan bashkëpunimin për ndërtimin e "Një brez, një rrugë", bashkëpunimi në fusha të ndryshme ka arritur rezultate të frytshme, duke demonstruar plotësisht përkushtimin e palëkundur të të dy vendeve për të ndjekur bashkëpunimin me përfitime reciproke dhe zhvillimin e përbashkët. Gjatë vizitës së presidentit Xi Jinping, të dy palët do të nënshkruajnë një sërë marrëveshjesh të rëndësishme bashkëpunimi, duke përfshirë “Protokollin e Ngritjes së Nivelit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë”, i cili do të nxisë në mënyrë efektive zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike e tregtare dypalëshe dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme. Në veçanti, hapja e portit të Çankait do të realizojë lidhjen "nga Çankai deri në Shangai", duke u bërë një urë e rëndësishme midis Amerikës Latine e Azisë dhe një motor i rëndësishëm për rritjen ekonomike të Perusë. Ai do të promovojë në mënyrë efektive lidhjet dhe tregtinë më efikase midis Perusë dhe vendeve të tjera në Amerikën Latine, si edhe marrëdhëniet me Kinën e madje edhe me mbarë Azinë, dhe do t'i ndihmojë të dy vendet dhe vendet e rajonit të arrijnë një zhvillim të qëndrueshëm.

Boluarte mirëpriti kompanitë kineze të investojnë në Peru dhe të marrin pjesë në projekte bashkëpunimi në fusha të rëndësishme, si infrastruktura, burimet, energjia dhe transporti. "Dëshiroj të ritheksoj se Peruja i përmbahet në mënyrë të vendosur parimit të 'një Kine' dhe është e gatshme të forcojë komunikimin dhe mësimin e ndërsjellë midis qytetërimeve dhe shkëmbimet e bashkëpunimin kulturor me Kinën, si edhe të intensifikojë shkëmbimet e të rinjve dhe personelit,"u shpreh presidentja e Perusë. Ajo e falënderoi Kinën për ofrimin e mbështetjes së rëndësishme dhe të vlefshme për Perunë në organizimin e Takimit Jozyrtar të Udhëheqësve Ekonomikë të APEC-ut. Boluarte tha se Peruja i përmbahet multilateralizmit dhe pret të forcojë komunikimin dhe bashkëpunimin me Kinën brenda APEC-ut dhe kornizave të tjera shumëpalëshe, duke kontribuuar në paqen, qëndrueshmërinë, zhvillimin dhe prosperitetin afatgjatë të rajonit të Azi-Paqësorit. Sipas saj, vizita e presidentit Xi Jinping me siguri do të bëhet një moment historik i rëndësishëm në marrëdhëniet midis dy vendeve, duke hapur një kapitull të ri në partneritetin e gjithanshëm strategjik midis Perusë dhe Kinës, duke u mundësuar të dy popujve që së bashku të ndërtojnë dhe të ndajnë një të ardhme më të qëndrueshme e më të begatë dhe të promovojnë ndërtimin e një komuniteti Peru-Kinë me një të ardhme të përbashkët.

Pas bisedimeve, të dy krerët e shtetit dëshmuan bashkërisht nënshkrimin e "Planit të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës dhe Qeverisë së Republikës së Perusë për ndërtimin e përbashkët të 'Një brez, një rrugë'" dhe  “Protokollit të Ngritjes së Nivelit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës dhe Qeverisë së Republikës së Perusë”, si edhe shkëmbimin e një numri dokumentesh të bashkëpunimit dypalësh në fushat e ekonomisë dhe tregtisë, të investimeve industriale, parqeve industriale, arsimit, zhvillimit të gjelbër dhe sektorë të tjerë.

Të dy palët publikuan "Deklaratën e përbashkët midis Republikës Popullore të Kinës dhe Republikës së Perusë për thellimin e partneritetit të gjithanshëm strategjik".

Po atë mbrëmje, presidenti Xi Jinping mori pjesë në banketin e mirëseardhjes të shtruar nga presidentja Boluarte.

Cai Qi, Wang Yi dhe të tjerë morën pjesë në aktivitetet e mësipërme. (Çang Çuo)