Udhëtimet e pasagjerëve hekurudhorë në Kinë arritën rekord në janar-tetor
2024-11-15 17:58:50

Foto nga VCG

Udhëtimet e pasagjerëve hekurudhorë në Kinë arritën rekord të lartë gjatë periudhës janar-tetor, me 3.71 miliardë udhëtime të realizuara, 13 për qind më shumë në baza vjetore, bëri të ditur të enjten “China State Railway Group Co., Ltd”, citon “Xinhua”.

Sipas operatorit hekurudhor, rrjeti kombëtar hekurudhor ka pasur funksionim të sigurt dhe të rregullt gjatë kësaj periudhe. Kapaciteti i transportit të pasagjerëve u rrit ndjeshëm, me një mesatare ditore prej 10.555 trena pasagjerësh të vënë në punë në dhjetë muajt e parë të vitit, një rritje prej 9.3 për qind nga viti i kaluar, sipas kompanisë.

Operatori hekurudhor operoi 1599 trena turistikë nga janari në tetor, duke nxitur turizmin dhe ekonominë e argjendtë, e cila përfshin të gjitha aktivitetet ekonomike të orientuara drejt ofrimit të produkteve dhe shërbimeve për të moshuarit.

Trenat turistikë janë shërbime të specializuara që operojnë midis qyteteve të mëdha dhe destinacioneve të njohura, duke ofruar udhëtime më të shpejta me më pak ndalesa.

Gjatë 10 muajve të parë të vitit, udhëtimet ndërkufitare gjithashtu patën rritje, me hekurudhën me shpejtësi të lartë Guangzhou-Shenzhen-Hong Kong që transportoi afro 22.5 milionë pasagjerë, 39.5 për qind më shumë në baza vjetore.

Hekurudha Kinë-Laos trajtoi 217.000 udhëtime ndërkufitare pasagjerësh.

Një zyrtar i “China State Railway” tha se kompania do të vazhdojë të monitorojë kërkesën e pasagjerëve, të optimizojë operacionet e trenave dhe të përmirësojë cilësinë e shërbimit për udhëtarët.

Gjatë periudhës janar-tetor, investimet e aseteve fikse në sektorin hekurudhor të vendit arritën në 635.1 miliardë juanë (rreth 88.2 miliardë dollarë amerikanë), duke shënuar një rritje prej 10.9 për qind nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar, treguan të dhënat nga kompania.

Deri më tani, kilometrazhi total i funksionimit të rrjetit hekurudhor të Kinës i tejkalon 160.000 km, duke përfshirë 46.000 km linjë hekurudhore me shpejtësi të lartë.