Të enjten, presidenti i Kinës Xi Jinping zhvilloi bisedime me homologen e vet peruane Dina Boluarte.
Xi Jinping-u shprehu kënaqësinë për këtë vizitë shtetërore në Peru dhe për pjesëmarrjen në Takimin Jozyrtar të Liderëve të APEC-ut me ftesë të presidentes Boluarte. Ai theksoi se kjo është vizita e tij e tretë në Peru dhe gjithashtu takimi i tretë me homologen peruane brenda një viti që nga takimi i tyre i parë në San-Francisko dhe vizita e saj në Kinë. "Sapo vura këmbë në këtë tokë të bukur të Perusë, ndjeva fort miqësinë mes popullit peruan e popullit kinez dhe zemra ime u ndje shumë e ngrohtë," u shpreh Xi.
Ai vuri në dukje më tej që Kina dhe Peruja kanë qytetërime të lashta dhe kjo u ka sjellë të dyja vendeve mençuri e mendjegjerësi, duke i lejuar të shohin qartë drejtimin e historisë, të ndjekin prirjen e zhvillimit të kohës dhe t'u përmbahen gjithmonë parimeve të trajtimit të barabartë, respektit e besimit të ndërsjellë dhe mësimit nga njëri-tjetri. Kina e Peruja janë bërë model i bashkëpunimit ndërmjet vendeve me madhësi, sisteme e kultura të ndryshme.
Që nga vendosja e lidhjeve diplomatike 53 vjet më parë, marrëdhëniet dypalëshe kino-peruane kanë ruajtur zhvillimin e shëndetshëm. "Sidomos që nga vizita ime e parë shtetërore në Peru në vitin 2016, me përpjekjet e përbashkëta të të dyja palëve, vëllimi i tregtisë ndërmjet Kinës dhe Perusë është rritur me 1.6 herë, vëllimi i investimeve të ndërmarrjeve kineze në Peru është dyfishuar dhe marrëveshja e tregtisë së lirë Kinë-Peru është përmirësuar. Të gjitha këto kanë sjellë përfitime konkrete për popujt e të dy vendeve," u shpreh Xi. Ai shtoi që të dy vendet duhet të përmbledhin përvojën e suksesshme të bashkëpunimit dypalësh, të përmirësojnë më tej dizajnin e nivelit të lartë, të forcojnë tregtinë e investimet, të promovojnë zhvillimin e industrive tradicionale e të industrive të reja dhe integrimin e zinxhirëve industrialë e të furnizimit dhe do të nxitin ngritjen e cilësisë e të nivelit të bashkëpunimit praktik Kinë-Peru dhe Kinë-Amerika Latine.
Kina e çmon miqësinë e saj tradicionale me Perunë dhe e vlerëson vendosjen prej Kongresit peruan të 1 shkurtit të çdo viti si "Dita e Miqësisë Kino-Peruane". Pala kineze është optimiste për perspektivat e gjera të bashkëpunimit dypalësh dhe është e gatshme të punojë me palën peruane për të promovuar ngritjen e marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik Kinë-Peru në një nivel të ri, për të sjellë përfitime për popujt e të dy vendeve.
Xi vuri në dukje më tej që, gjatë kësaj vizite, ai dhe presidentja Boluarte do të marrin pjesë me anë të videos në ceremoninë e hapjes së portit të Çankait, që është një projekt tjetër i suksesshëm i ndërtimit të përbashkët të “Një brez, një rrugë” prej Kinës dhe Perusë. Pala kineze është e gatshme që me palën peruane ta përdorin këtë port si pikënisjen e krijimit të kanalit të ri tokësor e detar Kinë-Amerikë Latine, që do të lidhë Shtegun e Inkasve dhe Rrugën Detare të Mëndafshit të Shekullit të 21-të, duke çelur rrugën e lumtur të begatisë së përbashkët për Perunë dhe për vendet e tjera të Amerikës Latine dhe Karaibeve.
Nesër, Peruja do të organizojë Takimin Jozyrtar të Liderëve të APEC-ut për herë të tretë në tetë vjet. Kina mbështet plotësisht punën e Perusë si mikpritëse dhe uron që takimi të arrijë sukses të plotë, duke lënë "Gjurmën e Limës" në bashkëpunimin në rajonin e Azi-Paqësorit. (Çang Çuo)