Ministri Gonxhja: Përmirësim i aksesit në financë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme
2024-11-15 10:30:00

Ministri Gonxhja (Foto Atsh)

Ministri Gonxhja (Foto Atsh)

Ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhja, mori pjesë në Këshillin e Investimeve për prezantimin mbi “Aksesin në Financë për Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM) dhe Rekomandime për Përmirësimin e Instrumenteve të Financimit”, ku u diskutuan sfidat kryesore me të cilat përballen këto ndërmarrje në Shqipëri.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ministri Gonxhja deklaroi se diskutimet u përqendruan te rëndësia e aksesit në financë për zhvillimin ekonomik dhe nxitjen e sipërmarrjes, u theksuan nisma për zhvillimin e kuadrit rregullator për krijimin e Byrove Private të Kredive, si dhe u diskutua për vështirësitë në sigurimin e financimeve për NMVM-të, përfshirë kriteret e larta dhe procedurat burokratike, citon “ATSH”.

Një tjetër pikë që është theksuar gjatë diskutimeve, sipas ministrit, ishte edhe nevoja për përmirësimin e njohurive financiare në sektorin privat si dhe potenciali i digjitalizimit dhe për të përshpejtuar proceset bankare dhe vlerësimin e kredive.

“U ndanë gjithashtu rekomandime për përmirësimin e skemave të garantimit të kredive dhe mbështetjen për bizneset e drejtuara nga gratë, duke nxitur një klimë më të barabartë dhe të qëndrueshme për zhvillimin ekonomik”,- theksoi ministri Gonxhja.