Vermoshi (Foto Atsh)
Shqipëria është përfshirë nga reshje shiu dhe dëbore në zonat malore, ndikuar edhe nga ulja e temperaturave.
Instituti i Gjeoshkencave informoi se reshjet mesatare të shiut do të përfshijnë qarqet Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër, por lokalisht intensive do të jenë në qarqet Durrës, Tiranë, Vlorë dhe Gjirokastër.
Reshjet pritet të shoqërohen me shtrëngata në shumicën e qarqeve.
Ndërsa në veri dhe verilindje të vendit, në lartësitë mbi 900 metra nga niveli i detit, reshjet do të jenë në formë dëbore, shkruan “ATSH”.
Shtrëngatat dhe intensiteti i lartë i reshjeve, për momente të shkurtra, mund të krijojnë probleme të ndryshme, si dhe vërshime të ujit në zonat urbane, në varësi të sistemit të kanalizimeve në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër.
Ndërkohë, dëbora ka zbardhur Vermoshin, në zonën e Shkodrës. Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga dëbora e rënë në Vermosh dhe nga puna e sektorit të mirëmbajtjes së rrugë për pastrimin e akseve dhe kriposjen e tyre.
Sipas kryeministrit, në segmentin Hani i Hotit-Vermosh pati reshje dëbore me trashësi rreth 5 cm, aks i kalueshëm me goma dimërore.