Raporti i “HRW”: Izraeli ka kryer krime lufte ndaj palestinezëve
2024-11-15 11:15:37

Gaza (Foto Rtsh)

Organizata “Human Rights Watch” (HRW) akuzon Izraelin se ka kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit duke zhvendosur me forcë afro 1.9 milionë palestinezë gjatë luftës së tij në Gaza.

Në një raport të titulluar “Të pashpresë, të uritur dhe të rrethuar: Zhvendosja e detyruar nga Izraeli e palestinezëve në Gaza”, “HRW”-ja detajon se si sulmet izraelite, urdhrat e evakuimit dhe shkatërrimi i infrastrukturës kanë krijuar një katastrofë humanitare, përcjell “RTSH”.

“Synimi i forcave izraelite duket se ka të ngjarë të sigurojë që zona të mbetet përgjithmonë e zbrazur dhe e pastruar nga palestinezët dhe të pushtohet e kontrollohet nga Izraeli”, thuhet në raport.

Grupi i të drejtave të njeriut nënvizoi se urdhrat e evakuimit të Izraelit dhe sulmet ajrore kanë detyruar shumicën e popullsisë së Gazës të largohen nga shtëpitë e tyre pa masa mbrojtëse për sigurinë e tyre.

Bazuar në intervistat, imazhet satelitore dhe analizat e urdhrave të evakuimit dhe pamjeve të sulmit, raporti zbuloi se autoritetet izraelite vepruan duke mos respektuar jetën civile dhe detyrimet ligjore ndërkombëtare.

Referuar raportit, bëhet e ditur se palestinezët e zhvendosur janë lënë në kushte të rrezikshme të pandërprera, me mungesa kritike të ushqimit, ujit dhe furnizimeve mjekësore.

Raporti akuzon Izraelin për dështimin për të siguruar mbrojtjen civile, një gur themeli i së drejtës ndërkombëtare humanitare, ndërsa synonte qëllimisht zonat me popullsi të dendur civile.

Gjithashtu, raporti tërheq vëmendjen për shkatërrimin humanitar, duke vënë në dukje se bllokada e Izraelit e ka përkeqësuar krizën.

Bombardimet e spitaleve, shkollave dhe strehimoreve të refugjatëve i kanë lënë civilët pa strehim të sigurt, një shkelje e ligjeve ndërkombëtare që ndalojnë shënjestrimin e infrastrukturës civile.

Sipas kësaj organizate, zhvendosja e detyruar e civilëve gjatë konfliktit të armatosur është e ndaluar sipas ligjit ndërkombëtar, përveç sigurisë së tyre.

Qeveria izraelite i ka mbrojtur veprimet e saj duke i cilësuar si të ligjshme ndaj kërcënimeve të sigurisë, duke pohuar se ato kanë për qëllim çmontimin e operacioneve militante. “HRW”-ja i hodhi poshtë këto pretendime, duke argumentuar se shkalla dhe modeli i zhvendosjes tregojnë për një fushatë sistematike për të çrrënjosur palestinezët nga Gaza.