Borrell: Të pezullohet dialogu me Izraelin, prej shkeljes së dyshuar të ligjit ndërkombëtar në Gaza
2024-11-15 11:04:26

Borrell (Foto Rtsh)

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, propozoi që të pezullohet dialogu politik me Izraelin, lidhur me shkeljet e dyshuara të ligjit ndërkombëtar në Rripin e Gazës, shkruan “RTSH”.

Propozimi i Borrelit u paraqit për herë të parë gjatë takimit të ambasadorëve dhe do të dorëzohet zyrtarisht të hënën e ardhshme, kur ministrat e Punëve të Jashtme të takohen në Bruksel.

Pezullimi i dialogut politik varet nga unanimiteti midis shteteve anëtare.

Shumica e zërave që morën fjalën gjatë takimit shprehën një opinion negativ, megjithëse jo të gjithë të dërguarit u shprehën.

Gjermania, Austria, Republika Çeke, Hungaria, Danimarka, Holanda, Italia dhe Greqia ishin midis opozitës së befasuar.

Ajo që kryediplomati europian synon, sugjeroi një zyrtar i BE-së, është të detyrojë shtetet të deklarojnë pa mëdyshje se ku qëndrojnë për sjelljen e diskutueshme të Izraelit.

“Është, para së gjithash, një sinjal politik se diçka në marrëdhënie nuk është në rregull. Në të njëjtën kohë, do të ishte një mënyrë për ta detyruar Izraelin që përfundimisht të shpjegojë dhe justifikojë veprimet e tij”,- tha zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti.

Propozimi i Borrelit bazohet në Marrëveshjen e Asociimit BE-Izrael, e cila përmban dispozita ligjërisht të detyrueshme për të drejtat e njeriut.

Në fillim të këtij viti, Spanja dhe Irlanda shkruan një letër të përbashkët duke kërkuar një shqyrtim urgjent të marrëveshjes, duke parë katastrofën humanitare në rritje që ka shkaktuar fushata ushtarake e Izraelit në Rripin e Gazës.