
Foto nga VCG
Kina publikoi të martën "Planin e Veprimit për Sistemet e Paralajmërimit të Hershëm për të Promovuar Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike (2025-2027)".
Plani u publikua gjatë një takimi të nivelit të lartë në Konferencën e 29-të të Palëve të Konventës Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP29) në Baku, Azerbajxhan.
Plani i publikuar shtjellon angazhimet e Kinës për të mbështetur vendet në zhvillim, në rritjen e aftësive të tyre të paralajmërimit të hershëm dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.
Plani i veprimit fokusohet në katër fusha kyçe, duke përfshirë shkëmbimin e njohurive mbi vlerësimin e rrezikut klimatik, ndërtimin e platformave të monitorimit dhe parashikimit të rrezikut klimatik, shkëmbimin e përvojave në ndërtimin e shoqërive të përshtatura ndaj klimës, si dhe rritjen e aftësive të paralajmërimit të hershëm përkatës në vendet në zhvillim.
Sipas planit, Kina do të nisë tre satelitë meteorologjikë gjeostacionarë Fengyun në dy vitet e ardhshme për të ofruar monitorim me frekuencë të lartë të fatkeqësive meteorologjike për vendet afrikane, aziatike dhe të Paqësorit.
Plani gjithashtu thekson se Kina do të zbatojë një projekt kryesor të bashkëpunimit Jug-Jug për paralajmërimin e hershëm për ndryshimet klimatike, duke ofruar pajisje vëzhgimi meteorologjik dhe sisteme të paralajmërimit të hershëm për vendet përkatëse në zhvillim.
Më herët, Administrata Meteorologjike dhe Ministria e Ekologjisë dhe Mjedisit e Kinës, nënshkruan gjithashtu një marrëveshje bashkëpunimi trepalëshe me Organizatën Botërore Meteorologjike, për të mbështetur nismën e OKB-së "Paralajmërime të hershme për të gjithë".
