
Zëvendëskryeministri kinez Ding Xuexiang u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres/Foto nga Xinhua
Zëvendëskryeministri kinez Ding Xuexiang tha të mërkurën se vendosmëria dhe veprimet e Kinës për të trajtuar në mënyrë aktive ndryshimet klimatike mbeten të palëkundura.
Ding, përfaqësuesi i posaçëm i presidentit kinez Xi Jinping dhe anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, i bëri këto komente në një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres, në kuadër të Samitit të Veprimit Klimatik të Liderëve Botërorë gjatë sesionit të 29-të të Konferencës së Palëve të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP29) në Baku të Azerbajxhanit.
Ding theksoi që Kina zbaton me vendosmëri strategjinë kombëtare për të përballuar ndryshimet klimatike, duke i bërë zhvillimin e gjelbër dhe me karbon të ulët faktorë kyçë për arritjen e rritjes me cilësi të lartë. Pala kineze ka zhvilluar e zbatuar një sërë politikash dhe masash për të arritur përfitime ekologjike e ekonomike.
Angazhimi i Kinës për të arritur kulmin e lëshimeve të karbonit brenda vitit 2030 dhe asnjanësimin e karbonit brenda vitit 2060 është një premtim i kujdesshëm dhe serioz, tha Ding, duke shtuar që çelësi për të trajtuar ndryshimet klimatike qëndron në veprimin praktik dhe Kina i ka mbajtur gjithmonë fjalët e saj me vepra konkrete.
Ai u shpreh më tej se pala kineze ka ndjekur me vendosmëri multilateralizmin dhe ka mbështetur gjithmonë sistemin ndërkombëtar me Kombet e Bashkuara në thelb dhe Konventën Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike si platformë kryesore të qeverisjes globale të klimës.
Kina i ka përmbushur përgjegjësinë e saj si një vend i madh, duke kontribuuar ndjeshëm në bashkëpunimin ndërkombëtar mbi ndryshimet klimatike, vuri në dukje Ding, duke shtuar që pala kineze është e gatshme të punojë me të gjitha palët e tjera për t'u angazhuar në dialog praktik e të hapur, për të refuzuar unilateralizmin dhe për të bërë përpjekje për të arritur rezultate pozitive në COP29, duke i dhënë hov të mëtejshëm procesit shumëpalësh të klimës.
Nga ana e tij, Guterres tha se OKB-ja vlerëson lart përpjekjet dhe kontributin e Kinës lidhur me realizimin e objektivave të saj të "karbonit të dyfishtë" dhe e falënderon Kinën për mbështetjen të gjatë e të fuqishme që ka dhënë për kauzën e Kombeve të Bashkuara.
Ai pohoi gatishmërinë e Kombeve të Bashkuara për të forcuar bashkëpunimin me Kinën për të nxitur bashkërisht multilateralizmin, për të siguruar suksesin e COP29-s dhe për ta trajtuar më mirë sfidën globale të ndryshimeve klimatike.(Xu Guang)
