Ritmi i ndryshimeve klimatike globale po përshpejtohet dhe qeverisja klimatike kërkon urgjentisht ambicie më të mëdha dhe veprime më konkrete. Një sondazh i kryer nga CGTN-i dhe Universiteti "Renmin" i Kinës, nëpërmjet Institutit të Komunikimit Ndërkombëtar të Epokës së Re (NEIIC), me 7658 të anketuar në 38 vende, zbuloi se një pjesë e konsiderueshme prej 90.3 për qind të pjesëmarrësve besojnë që përballimi i ndryshimeve klimatike është urgjent dhe se komuniteti ndërkombëtar duhet të arrijë konsensus e të ndërmarrë hapa më praktikë.
Valët e të nxehtit, uraganet, përmbytjet……moti ekstrem gjithnjë e më i ashpër po shkakton shqetësim të gjerë te njerëzit në mbarë botën. Rezultatet e sondazhit tregojnë se 90.4 për qind e pjesëmarrësve globalë besojnë që denduria e ngjarjeve ekstreme të motit është rritur me shpejtësi vitet e fundit; 87.3 për qind mendojnë se shfaqja e shpeshtë e këtyre ngjarjeve reflekton një përkeqësim të shpejtë të klimës globale; dhe 89.8 për qind janë "shumë të shqetësuar" ose "të shqetësuar" për çështjet e qeverisjes së klimës.
“Në mes të valëve të furishme të një krize globale, vendet e ndryshme nuk po lundrojnë veçmas në mbi 190 varka të vogla, por janë të gjitha në një anije gjigante prej së cilës varet fati ynë i përbashkët.” Në sondazh, 87 për qind e të anketuarve janë të mendimit që forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar është çelësi për arritjen e një qeverisjeje më efektive globale të klimës. Megjithatë, sondazhi zbuloi gjithashtu se, krahasuar me pjesëmarrësit nga vendet e zhvilluara, ata nga vendet në zhvillim shfaqin një vullnet më të fortë, si edhe vendosmëri më të madhe në trajtimin e çështjeve të ndryshimeve klimatike.
Sipas sondazhit, 80.8 për qind e të anketuarve nga vendet në zhvillim shprehën "gatishmërinë për të paguar ekstra për produktet që mbrojnë mjedisin", 26.5 pikë përqindjeje më shumë se pjesëmarrësit nga vendet e zhvilluara. Për më tepër, 86.6 për qind e të anketuarve prej vendeve në zhvillim përqafojnë në mënyrë aktive teknologjitë dhe produktet e energjive të reja, 17 pikë përqindjeje më shumë se ata nga vendet e zhvilluara. Ndërkohë, 96.1 për qind nga pjesëmarrësit nga vendet në zhvillim mbështesin përshpejtimin e zhvillimit të industrive të gjelbra për të luftuar ndryshimet klimatike, gati 11 pikë përqindjeje shumë se homologët e tyre në vendet e zhvilluara.
Konventa Kuadër e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike thekson që pjesa më e madhe e lëshimeve historike dhe aktuale globale të gazit serrë e ka origjinën nga vendet e zhvilluara, duke vendosur kështu parimin e "përgjegjësive të përbashkëta, por të ndryshme" midis vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim.
75.3 për qind e pjesëmarrësve të sondazhit besojnë që vendeve të zhvilluara u mungon sinqeriteti dhe veprimi në qeverisjen globale të klimës, duke ngadalësuar ndjeshëm përpjekjet bashkëpunuese. 73.9 për qind e konsiderojnë të papërgjegjshme që vendet e zhvilluara vonojnë përmbushjen e angazhimeve të tyre për ndihmën lidhur me klimën. Ndërkohë, 85.8 për qind bëjnë thirrje që vendet e zhvilluara të ofrojnë financime të rëndësishme për klimën për të mbështetur vendet në zhvillim në përparimin e zbatimit të Marrëveshjes së Parisit, kurse 89.8 për qind besojnë se vendet e zhvilluara mbajnë përgjegjësi thelbësore historike dhe morale për ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu dhe i nxisin ato të tregojnë ambicie dhe të jenë më aktive për këtë çështje.
Pjesëmarrësit në sondazh ishin si nga vendet e zhvilluara, si Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Japonia, ashtu dhe nga vendet në zhvillim, si Argjentina, India dhe Kenia. (Çang Çuo)