
Foto nga VCG
“Ky është projekti kryesor i nismës 'Një brez, një rrugë' në Amerikën Latine dhe një simbol i bashkëpunimit më të ngushtë ekonomik në rajonin e Azi-Paqësorit"; "Ai pritet të bëhet 'Porti i Singaporit në Amerikën Latine' ... Këto ditë, mediat ndërkombëtare janë fokusuar në portin e Çankait në Peru. Ky port, për të cilin është investuar dhe që është ndërtuar nga një sipërmarrje kineze, do të vihet së shpejti në funksionim zyrtar. Me përurimin e tij, koha e transportit për mallrat e eksportuara nga Amerika e Jugut në Azi pritet të shkurtohet me gati 30 %, dhe zhvillimi ekonomik e tregtar në të gjithë Paqësorin do të ketë enegji të re.
Po në këtë javë në Peru do të organizohet Takimi i 31-të Jozyrtar i Udhëheqësve të APEC-ut, ku do të marrë pjesë edhe presidenti kinez Xi Jinping. "Fuqizim, përfshirje, rritje" - rreth kësaj teme, figura politike dhe biznesi nga 21 ekonomi në rajonin e Azi-Paqësorit do të fokusohen në çështje të tilla si forcimi i tregtisë së hapur, të lirë e përfshirëse, promovimi i rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe nxitja e transformimit global të energjisë.
Për një kohë të gjatë, Azi-Paqësori ka qenë një pikë e rëndësishme e zhvillimit dhe e qëndrueshmërisë globale. Ai ka një të tretën e popullsisë së botës dhe zë më shumë se 60 % të vëllimit të përgjithshëm të ekonomisë botërore dhe gati gjysmën e vëllimit të përgjithshëm të tregtisë globale. Rajoni i Azi-Paqësorit është një forcë e rëndësishme e rritjes ekonomike të botës. Sipas vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, norma e rritjes ekonomike të këtij rajoni pritet të arrijë në 4.2 % këtë vit, shumë më e lartë se rritja ekonomike globale prej 2.9 %.

Foto nga VCG
Pse Azi-Paqësori mund ta udhëheqë botën në zhvillim? Kjo vjen jo vetëm për shkak të paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë në rajon, por është edhe e pandashme nga kontributi i APEC-ut. Që nga themelimi i tij 35 vjet më parë, APEC-u i ka qëndruar gjithmonë besnik aspiratës së vet origjinale të hapjes, përfshirjes, zhvillimit të përbashkët dhe kërkimit të të përbashkëtave duke lënë mënjanë dallimet. APEC-u ka promovuar liberalizimin dhe lehtësimin e tregtisë e të investimeve, si edhe bashkëpunimin ekonomik e teknologjik, dhe ka vazhduar të shtojë nivelin e integrimit ekonomik rajonal. Të dhënat tregojnë se në 30 vitet e para që nga krijimi i APEC-ut, niveli mesatar i tarifave në këtë rajon ra nga 17 % në 5 %, të ardhurat për frymë u katërfishuan dhe kontributi i tij në rritjen ekonomike botërore arriti në 70 %. Ekonomitë kryesore të Azi-Paqësorit kanë përfituar gjithashtu nga ky mjedis i hapur dhe bashkëpunues.
Si një ekonomi e rëndësishme e Azi-Paqësorit, Kina ka marrë pjesë aktive në bashkëpunimin në kuadër të APEC-ut dhe është bërë një forcë shtytëse e bashkëpunimit në rajonin e Azi-Paqësorit. Sot Kina është partnerja më e madhe tregtare e 13 ekonomive të APEC-ut, duke kontribuuar për 64.2 % të rritjes ekonomike të Azi-Paqësorit e duke nxitur 37.6% të rritjes së tregtisë së mallrave dhe 44.6% të rritjes së tregtisë së shërbimeve të këtij rajoni.
Aktualisht, tensionet gjeopolitike globale po intensifikohen dhe rimëkëmbja e ekonomisë botërore është e ngadaltë. Disa vende ndjekin të ashtuquajturën "Strategji të Indo-Paqësorit" dhe angazhohen në "qarqe të vogla" ekskluzive, gjë që ka sjellë ndikim në bashkëpunimin në kuadër të Azi-Paqësorit. Në këtë sfond, Kina, e cila ka këmbëngulur gjithmonë për hapjen dhe bashkëpunimin, ka tërhequr shumë vëmendje në këtë samit të APEC-ut. Fernando Reyes Mata, ish-ambasador i Kilit në Kinë, tha se ai pret që Kina të paraqesë politika e propozime për promovimin e bashkëpunimit të Azi-Paqësorit dhe të ofrojë zgjidhjet kineze për ruajtjen e multilateralizmit të vërtetë dhe promovimin e liberalizimit e të lehtësimit të tregtisë dhe investimeve.

Foto nga VCG
"Si udhëheqës të rajonit të Azi-Paqësorit, ne duhet të mendojmë thellë se çfarë lloj Azi-Paqësori duam të krijojmë në mesin e këtij shekulli? Si të sjellim 'tridhjetë vjet të artë' të ardhshëm në zhvillimin e Azi-Paqësorit? Si të shfrytëzojmë siç duhet rolin e APEC-ut në këtë proces?” Këto fjalë të presidentit kinez Xi Jinping në Takimin Jozyrtar të Udhëheqësve të APEC-ut vjet i kanë bërë njerëzit të mendojnë.
Ndjekja e hapjes dhe e bashkëpunimit është një ndër arsyet e suksesit të APEC-ut dhe duhet të bëhet baza e zhvillimit të rajonit të Azi-Paqësorit në të ardhmen. Situata e botës është e ndërlikuar dhe ekonomitë e rajonit të Azi-Paqësorit duhet të fokusohen në interesat e përbashkët, të mbështetin tregtinë e lirë dhe investimet, të kundërshtojnë proteksionizmin, të zbatojnë plotësisht Vizionin e Putrajaya-s, të ndërtojnë së bashku një komunitet të hapur, dinamik, të fortë e paqësor të Azi-Paqësorit dhe të krijojnë "tridhjetë vjet të artë" të rinj të bashkëpunimit të Azi-Paqësorit. Në një botë të paqëndrueshme, një aftësi e tillë udhëheqëse është me rëndësi. (Çang Çuo)
