
Konferenca e bankës (Foto ATSH)
“Roli i bankës qendrore dhe sistemit bankar në rrugën drejt BE-së” ishte tema e konferencës që u zhvillua të mërkurën në Tiranë nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave.
Në fjalën e mbajtur në këtë takim, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se Banka Qendrore është pjesë integrale në procesin e integrimit të vendit në BE, në 5 kapituj, shkruan “ATSH”.
“Banka e Shqipërisë ka një rol primar në negociatat për anëtarësim. Ne jemi pjesë integrale e grupeve të punës për pesë kapituj dhe udhëheqim dy prej tyre, kapitullin 4 “Lëvizja e lirë e kapitalit” dhe kapitullin 17 “Politikat ekonomike dhe monetare””,- tha ai.
Sejko tha se procesi i integrimit nënkupton edhe një ekspozim në rritje ndaj flukseve financiare në formën e investimeve të portofolit. Këto flukse i shërbejnë zhvillimit të tregut financiar dhe reduktojnë kostot e përgjithshme të financimit.
Duke u ndalur në zhvillimin e ekonomisë, Sejko deklaroi se Shqipëria e vitit 2024 ofron një realitet krejtësisht të ndryshëm ekonomik krahasuar me një dekadë më parë, kur vendi mori statusin e kandidatit për anëtarësim.
Vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend është rritur nga 10 në 24 miliardë euro, niveli i papunësisë është reduktuar nga 17.5% në 10.7%, dhe të ardhurat mesatare vjetore për frymë janë rritur nga 3500 në 9200 euro.
Sipas tij, inflacioni ka shënuar një nivel mesatar prej 2.5% gjatë kësaj periudhe, borxhi i huaj është reduktuar nga 70% në 44% të PBB-së, ndërsa borxhi publik ka zbritur nga 72% në 56% të PBB-së.
Guvernatori Sejko theksoi se sfidat tani lidhen me rritjen e të ardhurave, ndryshimet klimaterike dhe inovacionin financiar.
