Spanjë (Foto ATSH)
Mijëra njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në rajonin jugor të Spanjës, Costa del Sol, pas një alarmi të kuq për shira të fortë dhe përmbytje.
Agjencia e Mbrojtjes Civile lëshoi një paralajmërim masiv për reshje ekstreme, duke u kërkuar banorëve të provincës Malaga të mbrohen nga rreziku i përmbytjeve, shkruan “RTSH”.
Alarmet u pasuan nga mbyllja e shkollave dhe bizneseve, ndërkohë që autoritetet urdhëruan largimin e 3000 personave që jetojnë pranë lumit Guadalhorce.
Në të njëjtën kohë, Katalonja dhe disa rajone të tjera janë gjithashtu në gatishmëri për reshje intensive dhe temperatura të ulëta, pasi një stuhi pritet të godasë vendin.
Ky alarm vjen pas një periudhe të vështirë, pasi vetëm disa javë më parë, përmbytjet e mëdha në Valencia shkaktuan mbi 220 viktima.
Megjithatë, meteorologët besojnë se kjo stuhi nuk do të ketë pasojat katastrofike të asaj të disa javëve më parë, por ngjall frikë për një tjetër valë të motit të keq.