Ecuria e investimeve në panelet fotovoltaike
2024-11-14 10:14:56


Instalime fotovoltaike (FotoVega)

Masat e tranzicionit energjetik në BE lidhen kryesisht me reduktimin e emetimeve të gazeve serë dhe uljen e ndotjes duke nxitur ekonominë përmes teknologjisë së gjelbër, duke krijuar industri dhe transport të qëndrueshëm. Ndërsa në Shqipëri, tranzicioni energjetik nxitet kryesisht nga nevojat për siguri energjetike, pavarësia e furnizimit me rrjet, çmimet konkurruese të energjisë së prodhuar nga burime alternative të energjisë si dielli dhe era, të përmendura përgjithësisht si burime të rinovueshme të energjisë. Aktorët e tregut thonë se pavarësisht numrit të lartë të aplikimeve që janë bërë, prapë Shqipëria ka një konsum të lartë të energjisë dhe ka hapësirë për të bërë investime në energji të rinovueshme. Bruno Papaj, Bashkëthemelues dhe CEO i VEGA Group thotë se ka ende hapsirë për investime të tilla.

“Trendi për investimet në energjitë e rinovueshme është një trend global, në të gjithë botën po bëhet tranzicioni i energjisë, nga energjitë fosile, nga centralet me qymyr guri apo me gaz, po bëhet tranzicioni në energjitë e rinovueshme dhe normalisht ky trend do të prekte dhe Shqipërinë. Për momentin në Shqipëri janë bërë shumë aplikime për parqe fotovoltaike, për sisteme të mëdha fotovoltaike. Pavarësisht numrit të lartë të aplikimeve që janë bërë, prapë Shqipëria ka një konsum të lartë të energjisë dhe ka hapësirë për të bërë investime në energji të rinovueshme por jemi akoma larg pjesës ku mund të themi që tregu ka arritur atë ngopjen dhe nuk ka vend për investimet e reja. Normalisht ka akoma hapësirë nëse duam të kapim atë target që Shqipëria ka për 2030 që 30% e prodhimit të energjisë të jetë me burime të rinovueshme, pra jemi ende larg kësaj vlere.”-tha Papaj.

Në Shqipëri ka një diferencë të madhe mes familjarëve dhe bizneseve.

Panele diellore  (Foto vega solar)

“Kjo diference vjen dhe për shkak të çmimit të energjisë. Çmimi i energjisë për bizneset është shumë herë  më i lartë se çmimi për familjarët. Nga ana tjetër kosto e një sistemi fotovoltaike apo kosto e paneleve është e njëjtë si për familjarë apo dhe për biznese, por ndonjëherë kosto për familjarët është edhe më i lartë pasi janë sisteme të vogla dhe janë disa kosto fikse të cilat rrisin atë çmimin për kilovat. Ndërsa për një biznes sa më i madh sistemi dhe kosto për njësi ule.”

Për Revistën Monitor Papaj flet për kthimin e investimit dhe benefitet e sistemeve fotovoltaike.

“Normal kjo sjell që një investimi i tillë është shumë herë më i leverdisshëm për bizneset kanë një investim shumë më të shpejtë sepse kosto për njësi është më e ulët ndërkohë përfitimi që ata kanë është më i lartë sepse çmimi i energjisë për biznese është pothuajse dyfishi i atyre që është për familjarë dhe për rrjedhim edhe sistemet që ne ndërtojmë mbi 90% janë për biznese. Edhe për familjarë ka persona të cilët janë të interesuar, të cilët kanë instaluar sisteme fotovoltaike dhe kthimi i investimit për familjarët nuk është i keq, arrin rreth 5 apo 6 vite, por kur e krahason me bizneset që kanë një kthim investimi për 2 vite, domethënë diferenca duket qartë.”

Fuqia punëtore mbetet sfidë edhe në këtë sektor.

“Duhet ta pranojë baza ligjore që në Shqipëri ekziston dhe që nga momenti kur u krijua kjo ka qenë një shtysë shumë e madhe jo vetëm për ne, për biznesin tonë si Vega Group por për gjithë industrinë ka qenë një shtysë shumë e madhe, u krijuan shumë kompani që instalonin sisteme fotovoltaike dhe shumë prej tyre kanë ecur shumë mirë. Kompania jonë është fokusuar ndoshta më shumë tek projektet e mëdha, por ka dhe kompani më të vogla të cilat instalojnë sisteme për familjarët apo biznese të vogla të cilat janë të suksesshme. Sfidë për momentin e sektorit mendoj se është fuqia e specializuar punëtore, jo thjesht fuqia punëtore nuk është e vështirë të gjesh punonjës, por është e vështirë të gjesh punonjës të specializuar. Ne si kompani këtë pjesë e kemi zgjidhur duke mbajtur fuqinë punëtore në Fier, dhe  në Tiranë. Gjithë fuqia punëtore që ne kemi rreth 80 apo 90% e fuqisë punëtore vjen nga Fieri dhe në rrethe është shumë herë më e thjeshtë për të gjetur punonjës të specializuar sesa në Tiranë. Në Tiranë e kemi patur shumë të vështirë për të krijuar grupe montimi, me montatorë apo elektricistë me përvojë. Në Fier ka qenë më e thjeshtë dhe kjo na ka ndihmuar shumë.”

Përpjekjet për të sigurur punonjës janë nga më të ndryshmet.

Bruno-Papaj (Foto Vega group

“Po është industria e naftës, nga cila vijnë shumë punonjës që kanë background në industrinë e naftës, kanë qenë projekte të TAP-it dhe ato ishin projekte madhore dhe njerëzit kanë marrë shumë eksperiencë në ato projekte. Punonjësit që ne kemi vijnë nga këto projekte, kanë punuar më parë tek këto dhe më pas kanë filluar tek  ne. Pra janë njerëz që kanë eksperiencën dhe kanë kulturën e punës dhe na kanë ndihmuar shumë.”

Teksa tregon rrugëtimin e  tij në biznes, ai jep këshilla për të rinjtë që duan të ndërtojnë diçka.

“Nuk di ta them këtë pjesë, por mbase është dhe ai përcaktimi që biznesi në Shqipëri është i vështirë domethënë duket edhe ne kur e filluam në fillim realiteti ishte se shumica e njerëzve thonin gjërat negative, që është e vështirë nuk ia del dot, duhet të kesh njohje duhet të kesh miq. Hapat e parë janë akoma më të vështirë, nuk duhet të dorëzohesh që në fillim, duhet të vazhdosh të këmbëngulësh, Çdo gjë zgjidhet hap pas hapi duke i marrë problemet një nga një zgjidhen dhe në pavarësisht vështirësive nuk ka patur pengesa kaq madhore apo diçka të paimagjinueshme, sepse çdo problem që dilte kishte zgjidhje. Për personat e rinj që duan të fillojnë një biznes i këshilloj që të mos dorëzohen që në fillim, të vazhdojnë të këmbëngulin, të kenë besim tek idea e tyre që kanë për biznesin dhe nëse ata punojnë, nëse japin maksimumin e vet gjërat patjetër që kanë për të funksionuar.”- tha Papaj.

Vlerësimi i kthimit të investimit në sektorin energjetik është i rregulluar dhe varion sipas qarqeve. Është përzgjedhur Tirana për shkak të numrit të lartë të bizneseve dhe si një qark që është në mesataren e nivelit të rrezatimit në vend, ndërsa Shkodra dhe Fieri janë përzgjedhur për shkak të dy ekstremeve të rrezatimit diellor, Shkodra me nivelin e rrezatimit më të ulët dhe Fieri me nivelin e rrezatimit më të lartë në vend.