
Kalaja e Beratit (Foto ATSH)
Kalaja e Beratit do t’i nënshtrohet ndërhyrjeve falë një projekti të BERZH-it. Pjesë e projektit të financimit është edhe ndërtimi i një rruge të re 15.2 kilometra në malin e Tomorrit. Në total, fondet që do të përdoren për këto 2 projekte arrijnë 3.2 milionë euro, bën të ditur “RTSH”.
Ndërhyrjet në kalanë e Beratit synojnë përmirësimin e potencialit të turizmit kulturor. Sipas BERZH-it, objektivi kryesor i kontratës është ekzekutimi i zgjidhjes më të mirë teknike për realizimin e një mbrojtjeje të qëndrueshme në lumin Osum, duke ndaluar erozionin progresiv të brigjeve të lumit pranë rrugëve në afërsi të kalasë.
Ndërkohë që ndërhyrjet në malin e Tomorrit kanë për qëllim përmirësimin e ofertës turistike natyrore duke përmirësuar aksesin dhe përfshijnë ndërtimin e aksit rrugor nga kryqëzimi i rrugës Berat-Poliçan, në fshatin Vodicë deri në fshatin Dardhë, me gjatësi 15.2 km. Këto ndërhyrje janë pjesë e projektit për infrastrukturën dhe turizmin në Shqipëri, që financohet nga Bashkimi Europian nëpërmjet asistencës teknike dhe granteve të investimeve në një shumë totale prej 40 milionë eurosh, si dhe nga kredia sovrane plotësuese e dhënë nga BERZH-i për qeverinë e Shqipërisë.
