
Kampi i Gjadrit (Foto ATSH)
Në qendrat e emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër të Lezhës ka nisur një proces ndryshimi i personelit. Nga 220 punonjës, 50 janë larguar dhe në qendra kanë mbetur 170, numri minimal për të garantuar menaxhimin e turneve dhe mbuluar shërbimet e nevojshme, citon “ATSH” një lajm të publikuar nga “La Repubblica”.
Teknikisht e quajnë “rimodulim”. Një reduktim i ndjeshëm i kontigjentit të pranishëm në Shqipëri. Roma zyrtare po has vështirësi për marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigrantët.
Të dy grupet që u dërguan në muajt tetor dhe nëntor u rikthyen pas vendimeve të gjykatës dhe problemeve me paditë e hapura deri në gjykatat europiane. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni gjithsesi është e vendosur t’i shkojë deri në fund paktit qeveritar me kryeministrin shqiptar Edi Rama.
Gazeta “La Repubblica” shkruan se për qeverinë Meloni, mënyra se si po shkojnë procedurat dhe përplasja me drejtësinë për listën e famshme të vendeve të sigurta është më mirë që të përmbyllet në Gjykatën Europiane të Drejtësisë.
