COP29, kërkohen financime më ambicioze për klimën
2024-11-14 15:11:50

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimaterike, në Baku, një koalicion i liderëve botërorë nga vendet e industrializuara dhe vendet e cenueshme nga klima bëri thirrje për financime më ambicioze për klimën.

“Kërkohen triliona dollarë. Ne duhet të rrisim urgjentisht sasinë e financimit për veprimin klimaterik. Kriza klimatike do të përkeqësohet në mënyrë eksponenciale nëse nuk veprojmë tani”, thuhet në një deklaratë të nënshkruar nga liderët që janë pjesë e të ashtuquajturit Koalicioni i Ambicieve të Larta COP29, citon “ATSH”.

Në deklaratë theksohet se vendet e zhvilluara duhet të përmbushin angazhimet ekzistuese financiare, si dhe duhet të zhvillohen burime inovative financimi.

Krahas Gjermanisë, vende të tilla si Franca, Spanja, Kanadaja, si dhe disa vende ishullore dhe vende afrikane, mbështesin thirrjen aktuale.

Gjermania ka premtuar 6 miliardë euro (6.4 miliardë dollarë) në vit për financimin e klimës duke filluar nga viti i ardhshëm. Megjithatë, planet e mëparshme buxhetore zbuluan një mangësi në alokimin e këtyre mjeteve.

Aktivistët e klimës paralajmërojnë se Gjermania rrezikon të humbasë besueshmërinë e saj, nëse dështon të përmbushë angazhimet e saj.