Foto nga VCG
Qyteti Kaifeng gjendet në Kinën Qendrore, në lindje të provincës Henan. Kaifeng-u është një nga vatrat e qytetërimit kinez dhe ka një histori më shumë se 4100-vjeçare, duke shërbyer edhe si kryeqytet i tetë dinastive, veçanërisht i dinastisë Song Veriore (960-1127).
Gjatë kësaj dinastie, Kaifeng-u ishte pikënisja e Rrugës Tokësore të Mëndafshit në lindje. Që nga ajo kohë, ky qytet ka qenë gjithmonë qendër rajonale politike, kulturore dhe ekonomike në Kinën Veriore.
Në vitin 960, gjenerali i dinastisë Zhou, Zhao Kuangyin, bëri kryengritje në Chenqiaoyi, 40 kilometra në veri të Kaifeng-ut, dhe e detyroi perandorin e dinastisë Zhou, Cai Zongxun, të heqë dorë nga froni, duke themeluar dinastinë Song, të quajtur Song Veriore në histori. Kaifeng-u u vendos të jetë kryeqyteti i dinastisë.
Dinastia Song Veriore ishte periudha më e lavdishme e qytetit Kaifeng, kur ekonomia dhe kultura e tij ishin të zhvilluara, jeta shoqërore ishte e lulëzuar dhe numri i popullsisë së qytetit arriti në 1.5 milion. Si qendra politike, kulturore dhe ekonomike e vendit asokohe, Kaifeng-u ishte gjithashtu qyteti më i lulëzuar në botë.
Tempulli Daxiaongguo (Foto nga VCG)
Gjatë mbi 4000 vjetëve të zhvillimit, në qytetin Kaifeng kanë mbetur shumë monumente historike, duke përfshirë tempullin "Daxiangguo", të ndërtuar fillimisht në dinastinë Qi Veriore në vitin 555. Gjatë dinastisë Song Veriore, tempulli "Daxiangguo" respektohej nga familja perandorake dhe u bë tempulli i parë i madh në Kaifeng dhe qendra budiste e vendit.
Vlen të përmendet gjithashtu edhe tempulli i Bao Gong-ut, i cili u ndërtua fillimisht gjatë dinastisë Jin (1115-1234), në kujtim të politikanit dhe zyrtarit të ndershëm e të drejtë të dinastisë Song Veriore Bao Gong. Bao Gong është emri i nderit i Bao Zheng-ut, që ishte kryetari i bashkisë së qytetit Kaifeng. Historia e Bao Gong-ut për zbatimin e rreptë të ligjit njihet nga çdo familje kineze.
Tempulli i Bao Gong-ut(Foto nga VCG)
Parku i Qytetit të Mijëvjeçarit është një destinacion tjetër kryesor turistik në Kaifeng. Ky park është ndërtuar sipas pikturës së famshme "Përgjatë lumit në Festën 'Qingming'", të krijuar nga piktori i dinastisë Song Veriore Zhang Zeduan. Kjo është një nga dhjetë pikturat më të famshme të lashta kineze dhe sot gjendet në Muzeun e Pallatit Perandorak të Pekinit. Piktura ka një gjatësi prej mbi pesë metrash dhe regjistron pamjen e lulëzuar të qytetit Kaifeng dhe skenën e jetës së qytetarëve në dinastinë Song Veriore në shekullin e 12-të. Piktura, që përfshin një numër të madh banorësh e bagëtish, si edhe makina, anije, ndërtesa e ura të shumta, është pasqyrë e lulëzimit të qytetit Kaifeng gjatë dinastisë Song Veriore. Parku i Qytetit të Mijëvjeçarit kopjon skenën e pasqyruar në këtë pikturë dhe shikuesit mund të ndiejnë lulëzimin e kryeqytetit të dinastisë Song Veriore Kaifeng.
Krahas këtyre, në Kaifeng ka edhe shumë pika turistike tërheqëse e ushqime të shijshme. Ky është një qytet thesar që ia vlen të vizitohet herë pas here. (Fani)