
Xinhua
Një ekspozitë tematike mbi trashëgiminë kulturore të Olimpiadës së dyfishtë të Pekinit u hap në Athinë.
Zyrtarë grekë dhe kinezë, artistë, përfaqësues të sportit dhe qytetarë të thjeshtë morën pjesë në aktivitetin e organizuar në qendrën sportive “Serafio” në Athinë, duke vlerësuar lidhjet midis dy vendeve nëpërmjet lëvizjes dhe kulturës olimpike, shkruan “Xinhua”.
Duke iu drejtuar ceremonisë së hapjes, ministri grek i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis, përgëzoi popullin kinez për organizimin e suksesshëm të Lojërave Olimpike Verore 2008 dhe Lojërave Olimpike Dimërore 2022, duke vënë në dukje se Pekini shkroi historinë si qyteti i parë që priti Lojërat Verore dhe Dimërore.
Ai lavdëroi gjithashtu mikpritësit kinezë, sepse në të dyja rastet, siç theksoi ai, u vendos theksi te promovimi i kulturës, duke përsëritur respektin e Greqisë ndaj kulturës dhe popullit kinez.

“Ekspozita pasqyron dinamizmin në marrëdhëniet sportive dhe kulturore midis Greqisë dhe Kinës”,- tha presidenti i Komitetit Olimpik Grek, Spyros Capralos.
Ekspozita përmban fotografi që tregojnë entuziazmin e popullit kinez që pret lojërat, si dhe medalje olimpike dhe kopje të pikturave të famshme kineze që frymëzuan një pjesë të ceremonive të hapjes dhe mbylljes së Lojërave.
