Foto nga VCG
"Gjatë Festivalit të Blerjeve në Kinë, papritur një produkt qumështi që kishim importuar nga Polonia filloi të shitej shumë në internet”. Zhang Peng, Menaxher i Përgjithshëm i Kompanisë Yashengxiang, në Zonën e Tregtisë së Lirë në Ningbo të Kinës Lindore, ndihet "i ngarkuar me punë dhe i lumtur". Teksa merret me porositë për furnizimet, ai shkon edhe nëpër ekspozita në të gjithë Kinën, për të ndihmuar në përhapjen e produkteve të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Falë përpjekjeve të përbashkëta të njerëzve si Zhang Peng, Ningbo po kthehet në një "kanal të artë" për tregtinë mes Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore. Sipas statistikave doganore të Ningbo, në tre tremujorët e parë të vitit, Ningbo dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore arritën një vëllim importi dhe eksporti prej 42.99 miliardë juanë, një rritje vjetore prej 12.3%. Mes tyre, gushti dhe shtatori u rritën përkatësisht me 81.5% dhe 51.1% nga viti në vit.
Si zona e parë demonstruese e bashkëpunimit ekonomiko - tregtar midis Kinës dhe Evropës Qendrore dhe Lindore, Ningbo ka mbështetur tregtinë e këtyre vendeve, duke zhvilluar aktivitete të shumta dhe duke zbatuar një sërë politikash.
Që nga viti 2022, Ningbo ka zhvilluar me sukses katër seri të aktiviteteve "Hi Shopping”për mallrat nga Evropa Qendrore dhe Lindore, ndaj banorët kanë mundur të ndjejnë mrekullinë e produkteve të këtyre vendeve.
Foto nga VCG
Këtë vit, Ningbo mori drejtimin në Kinë për prezantimin e produkteve të reja si mielli polak, pëlhura hungareze dhe pëlhura prej kashmiri e punuar me dorë nga Serbia. Kështu Ningbo po bëhet qyteti i parë, nga ku hyjnë në Kinë pjesa më e madhe e produkteve të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Në Panairin e Tregtisë së Shërbimeve 2024 të mbajtur në shtator, Chen Yi, Menaxhere e Kompanisë Dijiaweida në Ningbo, solli produkte trëndafili të markës Biofresh për të përfaqësuar Bullgarinë në ekspozitë, duke ua rekomanduar tregtarëve në të gjithë vendin. Produktet e saj po shtrihen tashmë edhe tek ushqimet e shëndetshme.
"Kemi 10 vjet që bëjmë biznes me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Me kalimin e viteve, reputacioni i qytetit Ningbo është popullarizuar gjithnjë e më shumë, mes markave të Evropës Qendrore dhe Lindore. Ata janë të interesuar për avantazhet e Portit të Ningbosë. Falë aftësive tona të funksionimit dhe promovimit, mund të ndihmojnë produktet cilësore dhe me çmime të mira, të shiten në të gjithë Kinën." Chen Yi ndjehet e lumtur kur përhap produkte cilësore nga Evropa Qendrore dhe Lindore në Kinë.
Në tetor të këtij viti, Ningbo nisi sezonin e promovimit të produkteve të Evropës Qendrore dhe Lindore 2024, duke zhvilluar një sërë aktivitetesh, për të promovuar mallrat e këtyre vendeve.
Foto nga VCG
Ndërkohë edhe strukturat doganore, portuale, transportuese dhe financiare të qytetit Ningbo, po ndërtojnë "kanale të padukshme" për tregtinë dypalëshe midis Kinës dhe Evropës Qendrore e Lindore.
Dogana Ningbo ka nisur në mënyrë inovative programin "Për zhdoganimin e mallrave të importit të Evropës Qendrore dhe Lindore" për të ndihmuar importuesit të zgjidhin problematikat e politikave dhe rregullore, miratimet e aksesit dhe zhdoganimin. Gjithashtu ka hapur edhe një dritare speciale për importin e mallrave të Evropës Qendrore e Lindore, për të ofruar masa lehtësuese.
Për sa i përket transportit, Porti Zhoushan në Ningbo ka krijuar linja kontejnerësh me pesë porte të Evropës Qendrore dhe Lindore, përfshirë Portin e Pireut në Greqi, Portin e Gdansk në Poloni, Portin e Konstancës në Rumani, Portin Koper në Slloveni dhe Portin e Rijekës në Kroaci. Ningbo ka hapur gjithashtu një linjë fluturimi direkt pasagjerësh me Budapestin, kryeqytetin e Hungarisë.
Foto nga VCG
Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore janë 'toka jonë e lumtur'. Në vitin 2022, udhëtova me fluturimin e parë çarter vajtje-ardhje për biznesmenët e huaj, për të zgjeruar tregjet në Ningbo. Shkova në Hungari, Poloni, Rumani dhe vende të tjera për të zhvilluar tregjet. Aktualisht, vëllimi i eksporteve me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore zë një të tretën e biznesit tonë, tha Ding Yandong, Menaxher i Kompanisë Ruimenke në Ningbo. Si tregtar i huaj, Ding Yandong shpreh besimin e tij për tregtinë mes Kinës dhe Evropës Qendrore e Lindore, sepse miqësia midis Ningbos dhe këtyre vendeve është mbështetja më e rëndësishme.
"Aktualisht, Ningbo po shndërrohet në një kanal kryesor për thellimin e bashkëpunimit praktik mes Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore. Po kthehet në një platformë kryesore për zgjerimin e importeve dhe ka një pozicion kryesor në promovimin e shkëmbimeve mes njerëzve dhe kulturave. Ne do të zhvillojmë aktivitete të ndryshme për të përmirësuar marrëdhëniet mes Ningbosë dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, si edhe për të nxitur tregtinë dypalëshe", tha një përgjegjës i Qëndrës së Promovimit në Ekspozitën për Bashkëpunimin me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. (Çang Çuo)