Banka e Shqipërisë (Foto ATSH)
Inflacioni në Shqipëri u përgjysmua nga nivelet e një viti më parë, duke reduktuar kostot e jetesës dhe duke rritur vlerën e të ardhurave dhe të kursimeve të familjeve shqiptare.
Banka e Shqipërisë publikoi Raportin e Politikës Monetare për 3-mujorin e katërt të vitit 2024, ku theksoi se përtej rënies së inflacionit në tregjet botërore, një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim ka dhënë politika e kujdesshme monetare, që mundësoi reduktimin gradual të inflacionit, pa dëmtuar trendin pozitiv të rritjes ekonomike, citon “ATSH”.
Sipas BSH-së, rritja ekonomike mbeti në nivele të larta, duke gjeneruar rritje të punësimit e të pagave dhe më shumë të ardhura për familjet dhe bizneset shqiptare.
Po ashtu, shëndeti ekonomik dhe financiar i ekonomisë u përmirësua: borxhi i huaj dhe ai publik shënuan rënie, bilancet financiare të bizneseve dhe familjeve mbeten të shëndetshme, dhe treguesit e qëndrueshmërisë dhe të ndërmjetësimit të sektorit bankar u konsoliduan.