Foto nga VCG
Ekspertët kinezë dhe turq po tregojnë interes për të bashkëpunuar në kërkimin arkeologjik për të zbuluar njohuri të reja në një nga vendet më të vjetra neolitike në botë, që ndodhet në Turqinë juglindore.
Arkeologë nga të dy vendet u mblodhën në Kongresin e parë Botëror të Neolitit, i mbajtur në Sanliurfa, për të diskutuar aspekte të ndryshme të kërkimit arkeologjik mbi epokën neolitike.
Rajoni, i zhytur në histori, ka luajtur prej kohësh një rol vendimtar në zbulimin e mistereve të periudhës neolitike, një epokë transformuese që hodhi themelet për qytetërimin njerëzor gjatë 12.000 viteve të fundit.
Gati 1000 studiues nga 63 vende morën pjesë në veprimtarinë, e cila u zhvillua në një rajon me vende neolitike të njohura globalisht si Gobeklitepe dhe Karahantepe.
Të dy vendet janë pjesë e rajonit më të madh “Tas Tepeler” ose “Kodrat e Gurit”, ku arkeologët kanë zbuluar statuja monumentale dhe elemente arkitekturore, duke hedhur dritë mbi agimin e qytetërimit njerëzor.
“Ne po planifikojmë një bashkëpunim të ri me kolegët kinezë në të ardhmen”,- tha për “Xinhua” Necmi Karul, arkeologu turk që drejton gërmimet në rajon. Ai tha se rreth 20 arkeologë kinezë morën pjesë në kongres dhe përshëndeti frymën e bashkëpunimit shkencor të shfaqur gjatë diskutimeve. Temat e eksploruara përfshinin bioarkeologjinë, antropologjinë fizike dhe gjeoarkeologjinë.
Një nga ekspertet kineze, Wang Fen, nga Universiteti Shandong, tha se ishte e mahnitur nga siti Gobeklitepe, i cili, sipas saj, mund të sfidojë njohjen e deritanishme historike.
Në dekadat e fundit, arkeologët që punojnë në këtë rajon turk kanë zbuluar mbi 20 vende nga periudha e neolitit para qeramikës. Këto vende shpesh shfaqin arkitekturë monumentale, duke përfshirë shtylla në formë T-je ose të rrumbullakosura, stola të mëdhenj të dekoruar prej guri dhe gdhendje të ndërlikuara të njerëzve dhe kafshëve.