Ministret Balluku dhe Kumbaro (Foto RTSH)
Shqipëria do të prezantojë në Baku, Azerbajxhan, gjatë punimeve në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimaterike COP29, modelin e saj të mbrojtjes së mjedisit përmes burimeve të rinovueshme të energjisë.
Zv.kryeministrja, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, përmes një videomesazhi në rrjetet sociale, bënë të ditur se gjatë paneleve të cilat në fokus kanë ndryshimet klimaterike, Shqipëria do të ofrojë shembullin e saj për biodiversitetin dhe për energjinë, bën të ditur “RTSH”.
Zv.kryeministrja Balluku, në mesazhin e saj, nënvizon strategjinë e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për diversifikimin e burimeve të rinovueshme të energjisë.
“Shqipëria do të ketë prezantim në të gjitha panelet ku do të flitet për energjinë e rinovueshme për të dhënë shembullin e saj më të mirë. Shqipëria, në bazë të një strategjie kombëtare, ka nisur diversfikimin e burimeve të energjisë së rinovueshme, duke kaluar nga burimet hidro në ato solare apo të erës. Dhe e gjithë kjo eksperiencë do të ndahet në panelet e organizuara nga shtetet apo mbështetësit”,- tha Balluku.
Ajo mbylli mesazhin e saj, duke nënvizuar se prania e Shqipërisë në këtë forum është me qëllim për të dhënë më të mirën sa i përket mjedisit dhe energjisë.
Katërmbëdhjetë nismat e propozuara nga presidenca e COP29 përfshijnë integrimin e veprimit klimaterik me qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm, zhvillimin e korridoreve të energjisë së gjelbër, krijimin e zgjidhjeve të ruajtjes së energjisë së gjelbër, avancimin e hidrogjenit të pastër, reduktimin e metanit nga mbetjet organike dhe promovimin e veprimit digjital të gjelbër.
Këto iniciativa synojnë të gjenerojnë financa për klimën, thelbësore për përmbushjen e objektivit të ngrohjes globale prej 1.5°C dhe për të siguruar një përgjigje të unifikuar globale ndaj ndryshimeve klimaterike.