sme (ceps)
Sipërmarrësit e rinj po joshen më së shumti për të kryer aktivitete biznesi në fushën e turizmit dhe teknologjisë. Drejtori i SME Albania Daniel Guçe thotë se trendi i bizneseve të reja vijon të jetë me rritje.
“Ka qenë një trend në rritje vitet e fundit. Nëse i referohemi statistikave për vitin 2023, kemi diku te 4% plus krahasuar me vitin 2022. Është po e njëjta ecuri për sa i përket sektorëve, domethënë që tregtia vazhdon të jetë ajo që dominon krahasuar me sektorët e tjerë, qoftë për sa i përket numrit total të regjistrit, por edhe rritjes që është bërë ndër vite. Ndërkohë që turizmi është nga ata sektorë që ka filluar 4-5 vitet e fundit të ketë një trend rritës në gjithë ekosistemin e vet, për sa i përket sipërmarrjeve të krijuara start up apo atyre që janë rimodeluar si biznese, duke krijuar nga një strukturë akomoduese në aktivitete të tjera që e kompletojnë shërbimin e tyre.”
Edhe fondet e vëna në dispozicion japin nxitje për këto subjekte.
Daniel Guçe (linkedin)
“Nëse do marrim moshën e re të sipërmarrësve të rinj që kanë filluar një sipërmarrje shërbimi të inovacionit dhe turizmi janë tre sektorët preferencialë të cilët i kanë dhënë mundësi për t’u zhvilluar por dhe për t’u zgjeruar përtej tregut, duke marrë shërbime, të cilat janë outsourcing dhe për t’i eksportuar. Gjithashtu dhe mundësitë financiare apo agjencia e start up apo fondet që janë në dispozicion ndoshta mund të ndihmojë që të rinjtë të orientohen drejt këtyre 3 sektorëve, që quhen dhe sektorë preferencialë, për sa i përket të rinjve, pra shërbimi është një nga ato sektorë që përfshin disa elemente. Inovacioni dhe turizmi apo sektorë të tjerë qasen tek shërbimet, por ato shërbime të cilat kanë mundësi të rinjtë për të zhvilluar aplikacione apo për të zhvilluar module. Ata mund të implementojnë brenda Shqipërisë apo dhe jashtë, për të gjetur një treg përtej këtyre kufijve, i kanë dhënë mundësinë të rinjve shqiptarë për të krijuar një sipërmarrje start up, në formë klasteri, korporate të vogël apo dhe biznese persona fizik.”- u shpreh Guçe.
Drejtori i SME- Albania thotë se herë pas here nga qeveria shqiptare janë bërë stimuj për sa i përket granteve apo formave të tjera të suportit financiar për të patur një akses tek financat të sipërmarrjeve mikro të vogla dhe të mesme, të cilat më shumë sesa kontribut në GDP japin një kontribut tek punësimi. Tashmë ka edhe një strategji për bizneset, 2021-2027.
“Në Shqipëri dominojnë mbi 60% e totalit sipërmarrjet mikro, 1deri në 4 sipas INSTAT. Janë sipërmarrje, të cilat krijuara nga të rinj apo persona që krijojnë sipërmarrje për mundësinë e vetëpunësimit si fillim dhe pastaj janë zgjeruar në një sipërmarrje mikro nga 1deri në 4 persona. Ka një lajm të mirë për sipërmarrjet shqiptare pasi kemi strategjinë 2021-2027 për sa i përket zhvillimit të biznesit dhe investimeve. Ndoshta kjo si iniciativë do të jetë e mirë për sipërmarrjet për t’i stimuluar që të fillojë një start up apo të krijojnë një aktivitet, i cili ju jep lehtësi fiskale. Përtej lehtësirave fiskale sipërmarrja ka nevojë për disa komponentë lehtësues që i bën ata të jenë të qëndrueshme, duke filluar nga kultura sipërmarrëse deri tek mundësitë për të dalë përtej kufijve, apo për të kryer infrastrukturën e mundshme që të zhvillojnë aktivitet dhe aty ku ata nuk e kanë menduar që mund të zhvillohet një aktivitet”- tha Guçe.
Per Klan Plus, Guçe thotë se tre vitet e para janë të vështira për çdo aktivitet dhe suportet që jepen nga qeveria shqiptare dhe nga aktorë të tjerë janë të nevojshme për të krijuar një klimë të butë.
“Patjetër që lehtësirat fiskale janë stimuli i parë për të krijuar një sipërmarrje, por ndonjëherë kur flasim për taksat, për sigurimet shoqërore apo për aktivitete të tjera të cilat janë detyrime të biznesit tek shteti, ndonjëherë asfiksohem. Stimujt e tjerë financiarë, siç janë grantet nuk janë asnjëherë të mjaftueshme, por kanë qenë të vazhdueshme jo vetëm nga insitutcionet qeveritare, por dhe nga donatorë të tjerë. Stimuli financiar do të thotë shumë për të nisur një sipërmarrje apo reforma të tjera, lufta kundër informalitetit, mundësia për tregtinë elektronike, konkurueshmëria, shumë aktorë apo faktorë të tjerë i japin mundësi sipërmarrjes, e cila të jetë e qëndrueshme.”
sme (oecd)
Në vitin 2023, numri i ndërmarrjeve aktive arriti në 130,319, me rritje vjetore 4% Vitin e kaluar numri i ndërmarrjeve aktive në vend arriti në 130,338 me rritje vjetore 4%, raportoi INSTAT. Rreth 86% e ndërmarrjeve janë prodhues të shërbimeve, nga 86,5% që ishin respektivisht në vitin 2022. Ndërmarrjet e mëdha me 50 e më shumë të punësuar zënë vetëm 1,6% ndaj totalit të ndërmarrjeve, 5,3% e ndërmarrjeve janë ndërmarrje të huaja e të përbashkëta, nga ku 43,6% e tyre janë me origjinë nga Italia, 7,5% nga Kosova dhe 5,8% nga Turqia. Rreth 85,9% e ndërmarrjeve janë ndërmarrje të vogla me 1-4 të punësuar dhe kontributi i tyre llogaritet në 22,6% në punësim dhe 20,2% në realizimin e xhiros vjetore.