Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara, marrëveshje për krijimin e kompanisë së përbashkët të prodhimit të energjisë
2024-11-13 09:33:40

Edi Rama dhe Belinda Balluku ne Baku (Foto ATSH)

Gjatë zhvillimit të COP29, në Baku, Azerbajxhan, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dhe “Masdar”, gjigantit të Emirateve të Bashkuara, për krijimin e një kompanie të përbashkët e cila do të investojë në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama ndau pamje në rrjetet sociale nga nënshkrimi i marrëveshjes, teksa thekson se kjo kompani do të investojë në Shqipëri dhe rajon, shkruan “ATSH”.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cilësoi këtë marrëveshje nga më të rëndësishmet në sektorin energjetik me ndikim të gjerë në rajon.

Në një prononcim të saj, Balluku tha se kompania emiratase operon prej kohësh në Ballkan, por tashmë ka vendosur një bashkëpunim të qenësishëm me Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, krijimin e një kompanie të përbashkët e cila do të investojë në të gjithë zonën e Ballkanit Perëndimor, por mbi të gjitha në Shqipëri.