Shfaqja Ajrore e Kinës paraqet risitë e fundit të industrisë së hapësirës ajrore
2024-11-13 15:13:52

Ekspozita e 15-të Ndërkombëtare e Aviacionit dhe Hapësirës Ajrore të Kinës, e njohur edhe si Shfaqja Ajrore e Kinës, u hap të martën në qytetin Zhuhai të provincës Guangdong të Kinës Jugore, duke tërhequr pjesëmarrjen e më shumë se 890 kompanive nga 47 vende dhe rajone të botës.

Në këtë veprimtari të shumëpritur që do të zgjatë deri të dielën, do të ketë një numër paraqitjesh emocionuese, ndërsa koha e shfaqjeve të fluturimit do të zgjasë rreth katër orë çdo ditë.

Foto nga VCG

Ekipi aerobatik "Bayi" në ekspozitën/VCG

Foto nga VCG

Aeroplan luftarak i tipit "J-10C"/VCG

Ekipi aerobatik "Bayi" (që në gjuhën kineze do të thotë "1 Gushti") i Forcave Ajrore të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës u ngjit në qiell si interpretuesi i parë. Gjashtë avionë luftarakë "J-10C" u ngritën në ajër, duke lëshuar tym në ngjyrë të kuqe, të verdhë dhe blu. Ekipi i aerobatikës realizoi një sërë formacionesh dhe manovrash të sakta.

Kjo shënon paraqitjen e 11-të të këtij ekipi aerobatik në shfaqjen ajrore dhe  performancën e parë me aeroplan luftarak të ri të tipit "J-10C".

"J-10C" është një aeroplan luftarak supersonik dhe shumëfunksional i modifikuar i brezit të tretë, që është studiuar e prodhuar nga Kina dhe që përmban avionikë e armatime të përparuara. Ai ka epërsitë ajrore të rrezes së shkurtër e të mesme të veprimit dhe mund të kryejë goditje të sakta kundër objektivave tokësore dhe detare.

Ai u paraqit për herë të parë për publikun në korrik të vitit 2017, me rastin e 90-vjetorit të krijimit të Ushtrisë Çlirimtare Popullore.

Debutimi i aeroplanit luftarak "J-35A" që nuk pikaset nga radarët

Foto nga VCG

Aeroplani luftarak i tipit të ri i Kinës "J-35A"/VCG

Në ditën e hapjes, aeroplani luftarak i tipit të ri i Kinës "J-35A" bëri debutimin zyrtar. Si një aeroplan luftarak i brezit të tretë që nuk spikatet prej radarëve, "J-35A" i takon kategorisë së mesme për nga madhësia. Dizajni i integruar që kombinon aerodinamikën, strukturën dhe aftësinë e mosgjurmimit nga radarët, e ka bërë atë një aeroplan të këtij tipi që është në gjendje të kryejë detyra të ndryshme.

Ekspertët vunë në dukje se "J-35A" renditet ndër më të mirët në botë për aftësitë e tij “të fshehjes”, si prej radarëve e rrezeve infra të kuqe, ashtu edhe fshehjes optike dhe akustike.

"J-35A" gjithashtu mund të mbajë më shumë karburant, çka i lejon një rreze më të gjatë funksionimi e shpejtësi më të lartë fluturimi, si edhe lartësi më të madhe ngritjeje shërbimi dhe kapacitet më të madh ngarkimi. Manovrueshmëria e tij gjithashtu e tejkalon atë të konkurrentëve në treguesit kryesorë. Këto aftësi të spikatura bëjnë që avioni "J-35A" të ketë një ndikim të gjerë si për mbrojtjen kombëtare, ashtu edhe për forcën konkurruese ndërkombëtare.

Me "J-35A", si edhe me aeroplanin e tipit "J-20", Kina është bërë vendi i dytë në botë, pas ShBA-së, që zotëron dy lloje të avionëve luftarakë që nuk pikasen prej radarëve.

Debutimi global i anijes luftarake pa ekuipazh "Orka"

Foto nga VCG

Anija e madhe luftarake pa ekuipazh e Kinës, "JARI-USV-A", e njohur gjithashtu si "Orka"/VCG

Në këtë shfaqje ajrore gjithashtu bëri debutimin e vet global anija e madhe luftarake pa ekuipazh e Kinës, "JARI-USV-A", e njohur gjithashtu si "Orka".

Me një gjatësi 58 metra dhe një tonazh prej 500 tonësh, kjo anije USV që nuk pikaset prej radarëve, mund të lundrojë me një shpejtësi maksimale prej 40 nyjash në një rreze 4 000 milje detare.

Anija luftarake përmban një kuvertë të madhe të pasme që mund të mbajë shumë helikopterë pa pilot, të cilët mund të zgjerojnë sferën e kërkimit e të rrisin aftësitë e goditjes nëpërmjet sistemeve të ndryshme të armatimit, tha eksperti ushtarak Fu Qianshao.

Sipas tij, anija është e aftë të mbajë një sërë ngarkesash për sulme me rreze të gjatë, mbrojtje ajrore dhe operacione luftarake kundër raketave e nëndetëseve. Ajo gjithashtu mund të pajiset me sisteme të ndryshme kërkimi e zbulimi, duke përfshirë sensorë elektro-optikë dhe radarë infra të kuqë e optikë, dhe përmban sisteme të përparuara të gjurmimit të zhurmave për të zbuluar kërcënimet nënujore, veçanërisht në zonat pranë porteve ku kërcënimet nënujore paraqesin rreziqe të konsiderueshme si për anijet ushtarake, ashtu edhe për ato civile.

"Anija shquhet për aftësitë e zbulimit ajror, sipërfaqësor dhe nënujor. Sipas misioneve të ndryshme, ajo mund të pajiset me ngarkesa të ndryshme për t'iu përshtatur nevojave specifike operacionale," theksoi Fu.

"ARJ21" me emrin e ri "C909"

Foto nga VCG

Avioni rajonal i Kinës "C909"/VCG

Avioni rajonal i Kinës "ARJ21" u riemërua si "C909" në një prezantim nga prodhuesja e tij, Korporata e Avionëve Komercialë e Kinës (COMAC).

Që nga vënia e tij në funksionim komercial në vitin 2016, janë dorëzuar gjithsej 150 avionë "C909", të cilët kanë transportuar në mënyrë të sigurt mbi 17 milionë udhëtarë.

Avioni ka pasur përmirësime të vazhdueshme në performancë, komoditetin e kabinës dhe operacionet e ekuipazhit, duke e lejuar atë të ofrojë më shumë konfigurime të kabinës. Ai ka aftësi të shkëlqyera ngritjeje e uljeje në aeroporte me pista të shkurtra e të ngushta, si edhe në mjedise në lartësi të madhe, të nxehta ose të ftohta, çka e bëjnë shumë të përshtatshëm për kushtet e funksionimit në rajonet kufitare të Kinës, Azinë Juglindore, Afrikë dhe zona të tjera jashtë vendit.

"C909" është i përshtatshëm për ndërtimin e një rrjeti transporti ajror të bazuar në aeroportet qendrore ose dytësore rajonale, duke ofruar mbështetje me kapacitete mbartëse për aeroportet e qendrave kryesore të transportit. Për më tepër, ai është i aftë të fluturojë në rrugë komerciale, duke përdorur karburant të qëndrueshëm e duke përmbushur nevojat e ndryshme të klientëve.