Sondazhi i CGTN-it: Pjesëmarrësit globalë presin që Kina të shtojë hovin e bashkëpunimit të Azi-Paqësorit
2024-11-13 11:42:15

Foto nga VCG

 Takimi i 31-të i Udhëheqësve Ekonomikë të APEC-ut do të organizohet në Lima të Perusë/Foto nga VCG

Ky vit shënon 35-vjetorin e krijimit të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit (APEC). Ndërsa po afrohet Takimi i 31-të i Udhëheqësve Ekonomikë të APEC-ut, një sondazh i kryer nga CGTN-i me përdoruesit globalë të internetit tregon që 86.4 % e atyre që u përgjigjën, vlerësojnë arritjet e spikatura të APEC-ut në nxitjen e rritjes ekonomike të rajonit dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal, duke ngritur nivelin e liberalizimit dhe të lehtësimit të tregtisë e të investimeve në Azi-Paqësor dhe duke e bërë atë rajonin më aktiv gjeoekonomik, me potencialin më të madh të rritjes në botë.

Si "lokomotivë" e rritjes ekonomike botërore, norma më e lartë e rritjes ekonomike të vendeve të APEC-ut është nxitur kryesisht e shtimi i kërkesës së tyre të brendshme dhe i tregtisë së ndërsjellë. Historia e përparimit dhe e zhvillimit të Azi-Paqësorit tregon që vetëm bashkëpunimi mund të çojë në zhvillim dhe se jobashkëpunimi është rreziku më i madh. "Shkëputja dhe thyerja e zinxhirit" nuk është në të mirë të askujt. Në sondazh, 85.2 % e pjesëmarrësve besojnë se vendet duhet të ndjekin rrugën e multilateralizmit e të globalizimit ekonomik dhe të punojnë së bashku për krijimin e një ekonomie të hapur dhe të një kuadri për bashkëpunimin rajonal, ndërsa 89.5 % shprehen se duhet të kundërshtohen të tëra format e proteksionizmit, të synohet zhvillimi i hapur dhe të nxitet ndërtimi i Zonës së Tregtisë së Lirë të Azi-Paqësorit me frymën e hapjes dhe të përfshirjes.

Në kohën kur rritja ekonomike globale është e dobët dhe bashkëpunimi rajonal po ndeshet me sfida, Azi-Paqësori mban përgjegjësi më të mëdha në këtë epokë. Tema e "APEC 2024" është "Fuqizim, përfshirje dhe rritje". Të gjitha palët përgjithësisht presin që rajoni i Azi-Paqësorit të ruajë qëllimin origjinal të bashkëpunimit, t'i përgjigjet thirrjes së kohës dhe të punojë së bashku për të përballuar sfidat. Në sondazh, 93.7 % e atyre që u përgjigjën, u bënë thirrje të gjitha palëve në rajon që të krijojnë konsensus dhe të ndërtojnë një bashkësi me të ardhme të përbashkët të Azi-Paqësorit të hapur e përfshirëse, me rritje inovative, ndërlidhje dhe bashkëpunim me përfitime të përbashkëta. Ndërkohë, 88.5 % janë të mendimit që ekonomitë e zhvilluara duhet të japin më shumë ndihmë e mbështetje për vendet e Jugut Global dhe të arrijnë zhvillimin e përbashkët të rajonit të Azi-Paqësorit, ndërsa 90.1 % besojnë se përpara një raundi të ri të revolucionit shkencor e teknologjik dhe të transformimit industrial, vendet e Azi-Paqësorit duhet të inovojnë strategjitë e tyre të zhvillimit, të ndjekin zhvillimin e gjelbër dhe të nxisin rritjen me anë të risive.

Foto nga VCG

 Takimi i 31-të i Udhëheqësve Ekonomikë të APEC-ut do të organizohet në Lima të Perusë/Foto nga VCG

APEC-u është organizata e parë e bashkëpunimit ekonomik rajonal ku Kina ka marrë pjesë që nga fillimi i Reformës dhe Hapjes, duke shënuar një moment historik në thellimin e pjesëmarrjes së Kinës në globalizimin ekonomik. Zhvillimi i Kinës ka përfituar nga rajoni i Azi-Paqësorit dhe gjithashtu ka sjellë përfitime për këtë rajon. 95.1 % e pjesëmarrësve në sondazh pohuan që Kina ka vazhduar të luajë rolin e "nxitësës" së bashkëpunimit ekonomik të APEC-ut, duke vlerësuar zgjerimin e vendosur të hapjes së Kinës ndaj botës së jashtme, pjesëmarrjen e saj aktive në çështjet e APEC-ut dhe kontributin e saj të rëndësishëm në begatinë dhe qëndrueshmërinë e rajonit të Azi-Paqësorit.

Sondazhi u botua në platformat e CGTN-it në anglishte, spanjishte, frëngjishte, arabishte dhe rusishte. Brenda 24 orësh, 6 071 përdorues të huaj interneti morën pjesë në sondazh dhe shprehën opinionet e tyre.