
Përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB Fu Cong/Foto nga VCG
Përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB Fu Cong i bëri thirrje të martën Izraelit që të heqë kufizimet për hyrjen e ndihmës humanitare në Gazë dhe të ndalojë përdorimin e ndihmës humanitare si mjet negociimi, teksa situata tashmë e rëndë humanitare atje po përkeqësohet shumë shpejt.
Duke folur në një seancë informimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për çështjen e sigurisë ushqimore në Gazë, Fu tha se çështjet humanitare nuk duhet të politizohen dhe as uria nuk duhet të përdoret si një armë për arritjen e qëllimeve. "Kjo është vija fundore themelore e ligjit humanitar ndërkombëtar," vuri në dukje ai.
"Megjithatë, gjatë konfliktit në Gazë, i cili ka zgjatur për 13 muaj, banorët janë privuar vazhdimisht nga nevojat e tyre themelore, dhe të gjitha vijat fundore themelore humanitare janë shkelur herë pas here," shtoi i dërguari kinez.
Sfida më e madhe në shtimin e ndihmës humanitare "nuk vjen nga mungesa e furnizimeve humanitare, por nga kufizimet e vendosura nga njerëzit lidhur me hyjren e ndihmës humanitare," tha Fu, duke i bërë thirrje Izraelit të hapë menjëherë të gjitha vendkalimet dhe të heqë në mënyrë efektive pengesat për hyrjen e ndihmës humanitare në mbarë Gazën.
"Izraeli po kufizon hyrjen e ndihmës humanitare nga njëra anë dhe po akuzon OKB-në dhe agjencitë humanitare për mosveprim nga ana tjetër. Kjo është e papranueshme," tha ambasadori, duke bërë thirrje për bashkëpunim të plotë të Izraelit me OKB-në dhe agjencitë e tjera humanitare.
Ai theksoi se ajo që mungon më së shumti në dhënien e ndihmës humanitare nuk janë furnizimet materiale apo kushtet e tjera politike, por vullneti politik i një pale kyçe, duke shtuar se përfundimi i vaksinimit për poliomielitin në Gazë, i mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka treguar edhe një herë që është e mundur të zgjerohet ndihma humanitare.
"Çelësi i çështjes është që Izraeli, si fuqi pushtuese, të përmbushë detyrimet e tij sipas ligjit ndërkombëtar dhe të mos lejojë përdorimin e ndihmës humanitare si mjet negociimi," vuri në dukje ambasadori.
Duke nënvizuar se një armëpushim i menjëhershëm dhe i qëndrueshëm në Gazë dhe zbatimi sa më parë i zgjidhjes me dy shtete është një rrugë themelore drejt përfundimit të konfliktit dhe rivendosjes së paqes, ai i kërkoi Izraelit të ndalojë veprimet ushtarake në Gazë dhe shkeljet e bëra kundër Libanit dhe vendeve të tjera.(Xu Guang)
