
Liderë të vendeve të ndryshme që marrin pjesë në sesionin e COP29-të në Baku, 11 nëntor 2024/VCG
I dërguari i posaçëm i Kinës për ndryshimet klimatike, Liu Zhenmin, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim për të përballuar ndryshimet klimatike. Në këtë drejtim, Kina është e përkushtuar të bashkëpunojë me Bashkimin Evropian dhe partnerë të tjerë globalë për të çuar përpara zbatimin e Marrëveshjes së Parisit, u shpreh ai.
Liu i tha këto në një intervistë për agjencinë e lajmeve "Xinhua" para nisjes për në Baku të Azerbajxhanit, ku do të marrë pjesë në sesionin e 29-të të Konferencës së Palëve të Konventës Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP29).
Mbështetje financiare dhe përgjegjësi
Liu u bëri thirrje vendeve të zhvilluara të udhëheqin në dhënien e ndihmës financiare për vendet në zhvillim, duke i ndihmuar ato të trajtojnë sfidat e shkaktuara nga ndryshimi i klimës. Ai shtoi se kjo nuk është vetëm një përgjegjësi morale, por edhe një detyrë e përcaktuar në Marrëveshjen e Parisit.

I dërguari i posaçëm i Kinës për ndryshimet klimatike, Liu Zhenmin(foto arkiv)/VCG
Në konferencën e OKB-së për klimën të vitit 2009 në Kopenhagë, vendet e zhvilluara u angazhuan të ofrojnë 100 miliardë dollarë në vit për të mbështetur vendet në zhvillim në transformimin e tyre energjetik. Megjithatë, ky premtim ende nuk është realizuar plotësisht.
Pozicioni i BE-së dhe sfidat e brendshme
Në tetor, Këshilli i BE-së njoftoi se kishte arritur një konsensus mbi pozicionin e tij negociues për COP29, duke përkrahur një synim të ri kolektiv të financimit global të klimës. Mirëpo, në deklaratë nuk qartësohen përgjegjësitë specifike të vetë BE-së, por u kërkohet të gjitha vendeve, përfshirë ekonomitë në zhvillim, të marrin një pjesë më të madhe të përgjegjësisë financiare.
Liu vuri në dukje që, edhe pse BE-ja ka qenë relativisht aktive në mbështetje të financimit të klimës për vendet në zhvillim gjatë dekadës së fundit, ajo tani përballet me disa sfida të brendshme. Zgjedhjet e fundit për Parlamentin Evropian dhe në vende të ndryshme anëtare të BE-së kanë treguar rënien e entuziazmit politik të disa palëve për veprimin klimatik.
Përpjekjet e tranzicionit të gjelbër të Kinës

Foto nga VCG
Pavarësisht se është një vend në zhvillim, Kina ka bërë përparim thelbësor në tranzicionin e saj të gjelbër, theksoi Liu. Kina po ndjek në mënyrë aktive elektrifikimin në sektorin e saj të transportit nëpërmjet hekurudhave me shpejtësi të lartë, duke i bërë ato mënyrën mbizotëruese te transportit publik, gjë që ka pakësuar ndjeshëm lëshimin e gazit serrë. Në Kinë gjithashtu përhapja e automjeteve elektrike ka njohur një rritje të shpejtë, duke kontribuuar më tej në uljen e lëshimit të karbonit dhe kontrollin e ndotjes.
